AlbanianSport.com 26/08/2021 21:25
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) pari kërkuar hapjen në kapacitet të plotë të stadiumeve, por Ministria e Shëndetësisë refuzon kërkesën. Kështu, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të mos ndryshojë masat kufizuese në vend që synojnë mbrojtjen nga dhe mospërhapjen e virusit “Covid-19”.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Kryetarja e këtij Komitetit, Mira Rakacolli, tha në mbledhjen e djeshme, se është parë e arsyeshme që situata mund të mbahet nën kontroll me masat ekzistuese, duke i konfirmuar ato që do të jenë në fuqi. Kështu, vijon detyrimi i mbajtjes së maskës në mjediset e mbyllura.
Po kështu, nuk lejohet grumbullimi jashtë më tepër se 50 persona, ndërsa orari i ndalimqarkullimit është nga ora 24:00, deri në 06:00, kurse muzika është e lejuar deri në ora 23:00. Por, çka është më e rëndësishme për sportin, lejohen kampionatet me praninë e tifozëve deri në 30% të kapaciteteve.
Me pak fjalë, që nga ndeshja e Superkupës së Shqipërisë këtë të shtunë e në vijim, ndeshjet e ekipeve shqiptare apo ndeshjet e Kombëtares do të luajnë me praninë e vetëm 30% të kapacitetit të stadiumeve, me gjithë kërkesat nga FSHF-ja për lejim të kapaciteteve maksimale.