AlbanianSport.com 15/01/2021 21:15
ASNN – Ndeshjet më të spikatura do të vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në RTSH Sport. Kupa e Gjermanisë në futboll, që është një nga ekskluzivitetet e spikatura sportive të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, ka dhuruar spektakël dhe të papritura, që kulmuan në mbyllje të turit të 32-shes edhe eliminimin të fitueses në fuqi të këtij trofeu, Bajernit të Mynihut. Kampionia në fuqi e Evropës u eliminua në mënyrë të pabesueshme përballë skuadrës së Bundesligës së dytë, Holshten Kilit, që barazoi në sekondat e fundit të kohës së rregullt dhe vijoi më pas të ngadhënjente pas lotarisë së 11-metërshave.
Tanimë është zyrtarizuar edhe kalendari i turit të 16-shes dhe do të jetë pikërisht Holshten Kili që do të ngrejë siparin e 8 dueleve, kur të përballet të martën e 2 shkurtit, duke nisur nga ora 18:30, me rivalen e Bundesligës së dytë, Darmshtadtit. Në të njëjtën kohë, skuadra e vetme amatore e mbetur në lojë, Rot-Vajs Esenin, do të sfidojë Bajer Leverkusenin, ndërsa po më 2 shkurt, por duke nisur nga ora 20:45, luhen dy duele të tjera, ku Padebordi i Bundesligës së dytë sfidon Borusian e Dortmundit.
Ndërsa një tjetër përballje midis dy niveleve të sipërme të futbollit gjerman është edhe ajo midis Verder Bremenit dhe Grojther-Fyrthit. Katër duelet e tjera luhen të mërkurën dhe, duke nisur nga ora 18:30, spikat dueli i Bundesligës së parë midis Volfsburgut dhe Shalke 04-ta, ndërsa Lajpcigu sfidohet nga Bokumi i Bundesligës së dytë. Ndërsa duke nisur nga ora 20:45, spikat dueli tjetër i Bundesligës së parë, midis Shtutgartit dhe Borusias së Mënshengladbahut. Në përballjen e fundit, Jahn Regensburgu i Bundesligës së dytë sfidon Këlnin.
Kupa e Gjermanisë
Turi i 16-shes:
Të martën, 2 shkurt 2021:
Holshten Kil – Darmshtadt 98 (18:30)
Rot-Vajs Esen – Bajer Leverkusen (18:30)
Borusia Dortmund – Paderborn (20:45)
Verder Bremen – GrojtherFyrth (20:45)
Të mërkurën, 3 shkurt 2021:
Volfsburg – Shalke 04 (18:30)
Lajpcig – Bokum (18:30)
Shtutgart – Borusia Mënshengladbah (20:45)
Jahn Regensburg – Këln (20:45)