AlbanianSport.com 16.05.2015 21:25
ASNN – Sikundër flitej dhe pritej, Kupa e Shqipërisë ka ndryshuar datën dhe vendin e zhvillimit të ndeshjes së saj të fundit, prej nga ky do të dalë edhe fituesja. E planifikuar për t’u luajtur në Elbasan, finalja e veprimtarisë së dytë të futbollit në vend do të zhvillohet në Tiranë, ndërsa ndryshon data e finales së Kupës së Shqipërisë.
Kukësi-Laçi nuk do të luhet më 30 maj, por 24 orë më herët, pra në datë 29 maj. Lajmi është konfirmuar për AlbanianSport.com nga burime zyrtare në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ndeshja do të zhvillohet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, duke nisur nga ora 20:00.
Kjo është hera e parë që Kukësi dhe Laçi do të diskutojnë mes tyre finalen e Kupës. Pra, e premtja e fundit e këtij muaji do të zbulojë edhe fituesin e këtij trofeu, ku verilindorët do të synojnë ta shijojnë për herë të parë këtë trofe, ndërsa kurbinasit do të kërkojnë të bëjnë “bis”, pasi e kanë fituar Kupën para dy sezonesh.