AlbanianSport.com 15/03/2021 20:55
ASNN – Andi Zeqiri, Bastien Toma, Kastriot Imeri dhe Toni Domgjoni thirren nga Federata helvete. Katër futbollistë, të cilët kanë mundësi që ta përfaqësojnë në të ardhmen përfaqësuesen e Kosovës ose Kombëtaren e Shqipërisë, do ta veshin fanellën e përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve të Zvicrës në Kampionatin Evropian 2021 të kësaj grupmoshe, që mbahet gjatë këtij viti në Hungari dhe Slloveni.
Andi Zeqiri, Bastien Toma, Kastriot Imeri dhe Toni Domgjoni u ftuan nga trajneri Mauro Lustrineli për “EURO 2021” që do të mbahet nga 24 marsi, deri më 6 qershor të këtij viti, duke shuar përfundimisht shpresat Kosovës se mund ta ketë ndonjërin prej tyre për ndeshjet e marsit, të vlefshme për Eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Për sulmuesin e klubit të Premierligës Brajton & Houvit, Zeqiri, kishte zëra se do t’i bashkohej Kosovës për ndeshjet eliminatore të marsit.
Veçanërisht pas deklaratave të babait të tij për mediat në Shqipëri në fund të vitit të kaluar, se ai ishte duke i rregulluar dokumentet e nevojshme për të ndërruar fanellë. Megjithatë, kompania që e përfaqësueson futbollistin e ri, sqaroi më vonë se qëllimi i Zeqirit ishte të vazhdonte me Zvicrën e Nën-21-vjeçarëve të paktën deri në përfundim të turneut të kësaj vere.
Zvicra është në grup me Islandën, Slloveninë dhe Hungarinë në EURO 2021-shin, faza e grupeve të cilit luhet në mars, çerekfinalet në maj dhe gjysmëfinalet e finalja në qershor të këtij viti. Ndërkohë, pas ditë më parë, mediat helvete “vajtuan” largimin e një tjetër futbollisti të talentuar, Nedim Bajramit, i cili ka vendosur të luajë për fanellën kuqezi të Kombëtares së Shqipërisë.
Madje, mediat zvicerane shkruanin se “Shqipëria na vodhi një xhevahir”, duke mos e fshehur zhgënjimin me vendimin e futbollistit të Empolit, i cili deklaroi se zgjedhja e fanellës kuqezi ishte një zgjedhje zemre. Sidoqoftë, të 4 lojtarët nga Kosova që janë thirrur nga Zvicra për Evropianin e Nën-21-vjeçarëve, mund të zgjedhin të ndërrojnë përfaqësuese pas mbylljes së kësaj veprimtarie, pasi ky nivel moshe është edhe i fundit ku të jepet një mundësi e tillë.