AlbanianSport.com 06.08.2015 21:15
ASNN – Një tjetër emër është bërë i njohur për Kombëtaren shqiptare, bëhet fjalë për Florian Kamberin, 20-vjeçari që luan në Superligën zvicerane. Talenti 20-vjeçar gjatë fundjavës vendosi përballjen e fituar 3-2 nga Gras’hopersi në fushën e FC Zyrihut, në javën e tretë të kampionatit elitar. Në derbin e Zyrihut, ai ka luajtur vetëm 7 minuta, po kaq ka mjaftuar që të kthehet në një emër të njohur.
Në minutën e tretë të kohës shtesë, Kamberi devijoi saktë me kokë një harkim nga e majta. Goli i realizuar nxiti interesimin e Shqipërisë. Vëzhguesit e FSHF-së kërkojnë ta bindin që sulmuesi të veshë fanellën kuqezi, pasi cilësohet si një lojtar me potencial të madh përpara portës. Lajmi është dhënë nga gazeta më e madhe zvicerane, “Blick” që jepte alarmin.
“Shqiptarët duan të na vjedhin Kamberin”, ishte titulli i së përditshmes, që saktësonte edhe situatën e futbollistit. Gazeta ngrinte pyetje si është e mundur që sulmuesi nuk është ftuar asnjëherë në përfaqësueset helvete të moshave dhe nuk ka asnjë ndeshje ndërkombëtare, fakt ky që shkon në favor të Kombëtares shqiptare. “Kujdes: Kamberi ka shtetësi të dyfishtë, kosovare dhe zvicerane”, – shkruante “Blick”.
“Shqiptarët e kanë xhevahirin e Gras’hopersit në listën e tyre”, – shtonte media në fjalë. Florian Kamberi është një “pykë” tipike, 1.89 metër i gjatë. Lojtari mund të jetë një alternativë e shkëlqyer për sulmin kuqezi, që në mungesë të Edgar Çanit kërkon një pikë referimi. Vlera në merkato e talentit shqiptar, për momentin, përllogaritet në 100 mijë Euro.