AlbanianSport.com 25/03/2021 22:25
ASNN – Policia e Shtetit ka konfirmuar se do të marrë përsipër masat për organizimin e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Anglisë, të dielën prej orës 18:00. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) publikoi ditën e enjte shkresën e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, që njoftonte organizmit që qeveris futbollin në vend se nuk merrte përsipër rendin dhe rreshtonte edhe arsyet. Edhe pse nuk ka ndryshuar asgjë pas disa orësh dhe kushtet janë të njëjta, Policia e Shtetit ka reaguar dhe do të marrë përsipër ndeshjen.
Nuk mungon edhe një “thumbim” për Federatën Shqiptare të Futbollit, duke deklaruar se janë nxituar me deklaratën e sotme. “Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë e deri në përfundim të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë dhe Anglisë, – thuhet në reagimin e saj. – Në datën 25 shkurt, në mjediset e Policisë së Shtetit, me përfaqësues të FSHF-së, zotin Lysien Nurishmi, është zhvilluar një takim para-përgatitor me drejtuesit kryesorë të strukturave të Policisë së Shtetit.”
“Aty u ra dakord për marrjen e masave për zhvillimin normal të këtij aktiviteti, sa i përket rendit dhe sigurisë, si dhe të gjitha detyrimet për shoqërimet dhe garantimin e sigurisë së lojtarëve të ekipit mik, – vijon reagimi në fjalë. – Në datë 3 mars, Federata Shqiptare e Futbollit i është drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me shkresë, ku ka kërkuar marrjen e masave për garantimin e sigurisë së ndeshjes ndërkombëtare të futbollit.”
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, pasi ka bërë rikonicionin e perimetrit të jashtëm të sigurisë të stadiumit, nisur edhe nga shqetësimi i bërë publik nga vetë FSHF-ja, se rreth stadiumit dhe në hyrjet kryesore janë të vendosura subjekte biznesi në fusha të ndryshme, konstatoi se kishte burim rreziku për mbarëvajtjen e ndeshjes, – sqaron më tej deklarata. – Në këtë kuadër i ka kërkuar FSHF-së bashkëpunimin për sigurinë e aktivitetit, kjo edhe përmes komunikimit shkresor. Në vijim, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar planin e masave duke përcaktuar detyra konkrete për të gjitha strukturat e Policisë që do të jenë të angazhuara.”
“Gjatë kohës së qëndrimit në vendin tonë të ekipit mik, do të angazhohen strukturat e DVP Tiranë dhe Forcat e Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit. Duke shprehur keqardhje për reagimin e nxituar në media të FSHF-së, në kundërshtim të hapur me frymën e bashkëpunimit mes dy institucioneve, rikujtojmë se komunikimin FSHF si për çdo ndeshje ndërkombëtare e ka mbajtur me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe jo me DVP Tiranë. Policia e Shtetit siguron qytetarët se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri-Angli”, – përfundon reagimi.