AlbanianSport.com 18.10.2015 22:35
Nëse dyshja Mesi-Ronaldo dominon sot për sot futbollin botëror në sensin e cilësisë sportive dhe sidomos realizimeve, duke qenë dhe sulmuesit më të kuotuar në dhënien e çmimeve, një tjetër futbollist shkëlqen pothuajse në të njëjtat nivele, por nuk ka pasur ndoshta fatin dhe mbështetjen e duhur për të qenë po kaq i vlerësuar sa dy lojtarët e lartpërmendur. Ai është Zllatan Ibrahimoviç, sulmuesi i Paris SG-së, njëherësh ish-sulmues i disa skuadrave të njohura evropiane, i cili llogaritet si një golashënues mjaft i spikatur dhe pavarsisht viteve, vijon të befasojë me shpërthimet e tij dhe me golat e bukur që realizon.
Suedezi me origjinë boshnjake është një lojtar gjigant, që ka kontribut të madh dhe për përfaqësuesen e Suedisë. Ibra është 34 vjeç por ai vijon të jetë në formë të shkëlqyer, duke sfiduar këdo që luan me të. Veten e tij e ka vlerësuar shumë, sidomos kur është fjala për të dhënë mendime për rivalët dhe për ecurinë e skuadrave. Pak ditë më parë ai tha se Suedia duhet të ishte në Evropian (është në play-off), pasi në rast të kundërt Evropianit do t’i mungonte një sulmuesi i madh (e kishte fjalën për vete). Dje ai lëshoi “perlën” e radhës, duke e krahasuar veten me verën, e cila, sa më e vjetër të jetë më e mirë bëhet.
Këtë shprehje ai e ka përmendur dhe më parë, por dje deklarata e tij erdhi pas kritikave në shtypin sportiv evropian se ka rënie në formë dhe në finalizime. Në fakt, në fillim të muajit tetor, Zllatan Ibrahimoviçi u bë golashënuesi më i mirë i historisë së Paris SG-së, me 110 finalizime në 137 ndeshje në të gjitha veprimtaritë. Në moshën 34-vjeçare, gjiganti suedez jo vetëm që e sheh të largët ditën e tërheqjes nga futbolli, por këmbëngul se ai po përmirësohet më shumë duke e krahasuar vetën me verën që me kalimin e viteve bëhet më cilësore. “Mendoj se po përmirësohem gjithnjë e më shumë, edhe pse po bëhem më i vjetër”, – tha ai.
“Jam si vera, bëhem më i mirë në moshë me të madhe, – vijoi shtatlarti. – Nuk e ndjej se po më vjen fundi, përkundrazi po shoh se jam një futbollist më cilësor. Psikologjikisht jam më i fortë dhe kam uri për të shënuar dhe për të arritur objektivat e mi. Jam shumë lumtur me çka kam bërë që kur kam ardhur të PSG-ja.” Ibrahimoviçi beson se askush nuk mund ta ndalë nëse qëndron i fokusuar në stërvitje dhe mban regjimin e duhur. “Thjesht duhet të punoj me përkushtim, të ruaj shëndetin, të jem mirë psikologjikisht dhe të vazhdoj të bëj atë që mundem. Askush nuk do të mund të më ndalojë. Do të rrëzoj të gjitha muret për të arritur qëllimet e mia”, – përfundoi Ibrahimoviçi.