AlbanianSport.com 26/09/2018 15:50
ASNN – Imagjinoni një të ardhme ku Zhozé Murinjo e Pol Pogba të jenë ende në të njëjtën skuadër, ashtu si sot, tek Mançester Junajtid? Duket shumë e vështirë. Kapitulli i fundit i krizës midis “Specialit” dhe “Oktapodit”, u shkrua në ndeshjen e Kupës së Ligës Angleze, kur futbollisti francez qëndroi në tribunë, falë një zgjedhjeje të trajnerit të “Djajve të kuq”, të cilët u eliminuan nga Derbi Kaunti i Frenk Lampardit, pas goditjes së 11-metërshave.
E në përfundim të kësaj ndeshjeje, Murinjo i ka komunikuar Pogbasë se nuk do ta mbajë më shiritin e kapitenit. “E vetmja e vërtetë është se kam vendosur që Pogba nuk do të jetë më kapiteni i dytë. Gjithnjë unë kam vendosur edhe kur ishte, e është një zgjedhje për të cilën nuk jap shpjegime” – ka thënë trajneri portugez pas ndeshjes. Një vendim që erdhi pas fjalëve të mesfushorit francez, me të cilat akuzonte trajnerin e tij se nuk ishte shumë kurajoz me mënyrën e lojës.
Kjo ndodhi pas barazimit në “Olld Traford” me Vulverhemptonit, në kampionatin anglez. “Duhet të luajmë më shumë në sulm” – kishte guxuar të thoshte Pogba, në përfundim të ndeshjes me Vulvs. Një krisje tashmë përfundimtare që hap edhe skenarë interesantë në merkato. Mbi të gjitha për Juventusin. Nuk është mister, që në Torino do ta prisnin me krahëhapur djaloshin, i cili, nga ana e vet do të kthehej me shumë dëshirë te Juve. Por edhe Barcelona pret me interes…