AlbanianSport.com 08.09.2015 13:50
ASNN – Shpresat e Danimarkës për të siguruar një biletë kualifikimi drejtpërdrejt në finalet e Evropianit “Francë 2016” morën pasditen e 7 shtatorit 2015 një goditje të rëndë, teksa Armenia i ka ndalur në barazim pa gola të besuarit e Morten Olsenit. Ndeshja e vlefshme për grupin I të Eliminatoreve, aty ku bën pjesë edhe Shqipëria, është barazimi i dytë pa gola për danezët, pas sfidës së 3 ditëve më parë në Kopenhagen kundrejt kuqezinjve tanë, teksa tashmë u mbeten edhe 90 minuta nga fundi i kësaj fushate.
Barazimi në Jerevan mund të rezultojë fatal për Danimarkën e Olsenit, ashtu sikurse dhe për vetë trajnerin, pasi tashmë u mbetet vetëm të fitojnë në Portugali dhe të shpresojnë që Shqipëria të mos marrë më shumë sesa 4 pikë në 2 ndeshjet e mbetura. Edhe pse danezët e nisën shumë mirë këtë fushatë eliminatore, duke u shfaqur si pretendentë për në Euro 2016, tashmë ata mund të përfundojnë drejt një dueli të dyfishtë në fazën e “play-off”-it, pas përfundimit të ndeshjeve në grupe, nëse do të mbeten në vendin e tretë në grup, pas Portugalisë e Shqipërisë.
Mediat daneze, edhe pse e pranojnë se në këto dy rezultate negative (barazime pa gola) me Shqipërinë dhe Armeninë ka ndikuar edhe mungesa e talentit Eriksen, fajësojnë më së shumti zgjedhjet e trajnerit Morten Olsen, që me të gjitha gjasat mund të japë dorëheqjen ose të shkarkohet nga drejtimi i kombëtares daneze para se të shkohet në Evropian.