AlbanianSport.com 17.01.2015 15:35
ASNN – Ka rezultuar një zhgënjim finalja e Kupës së Norvegjisë në volejboll për femra për sportisten shqiptare, Arjola Prenga, pasi skuadra e saj, Sto Volej, është mundur 1-3 në nga rivalja kryeqytetase, Oslo Volej. Ndonëse skuadra e shqiptares e ka fituar setin e parë, por ka vijuar t’i humbë 3 setet e tjera, duke humbur njëkohësisht edhe shansin për ta mbrojtur trofeun e fituar vjet.
Volejbollistja shqiptare, Arjola Prenga, e ka humbur shansin e parë për të marrë një trofe këtë sezon, pasi skuadra e saj, Stod Volej, është mundur 1-3 të shtunën në finalen e Kupës së Norvegjisë përballë Oslo Volejit, duke u detyruar t’ua dorëzojë rivaleve kryeqytetase trofeun e fituar vjet.
Ndonëse shkoi në këtë finale si favorite, pasi erdhi fituese në fuqi e Kupës së Norvegjisë, por edhe kampione në fuqi, Stod Voleji ka vuajtur euforinë dhe shpërqendrimin, duke u ndëshkuar në fund. Skuadra e 29-vjeçares shqiptare e ka fituar setin e parë, me shifrat 25-17, por Oslo është kundërpërgjigjur në setin e dytë, duke e fituar atë me rezultatin 25-18.
Seti i tretë ka qenë më i keqi për ekipin e shqiptares, i mbushur me gabime dhe gafa dhe për rrjedhojë, Oslo Voleji e fiton atë me rezultatin e thellë 25-14. Në setin e 4-t, Stod Voleji kryesoi bindshëm deri në pikën e 20-të, por shpërqendrimin në fund u ka mundësuar kryeqytetaseve ta përmbysin gjithçka, duke e fituar setin me shifrat 25-23 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm, 3-1.