Nga Astrit Greva & Vladimir Xheka* 16.02.2016 13:30
ASNN – Nisur nga një shkrim në gazetën “Panorama Sport”, të para disa ditëve në një intervistë të dhënë nga shefi i klubit shumësportësh, A. Muka, e ndjejmë si detyrim moral për të sqaruar opinionin sportiv të qytetit të Fierit. Në vend të mirënjohjes për basketbollistet e Apolonisë, që punuan dhe dhanë maksimumin për të përfaqësuar denjësisht këtë sport me tradita të mira në Fier, klubi dhe shefi i klubit, z. Muka, akuzon padrejtësisht dhe me argumenta të pavërteta, duke e quajtur “skuadër fantazëm”, sepse, sipas tij, nuk zhvilloi asnjë ndeshje në Fier dhe se ka patur vetëm një vajzë nga qyteti i Fierit.
Z. Muka, ju bëjmë me dije se, sipas rregullores se FSHB-së, në Fier ju nuk keni asnjë sallë që plotëson kriteret e zhvillimin normal të ndeshjeve dhe se kemi qenë ne që kemi kërkuar me ngulm për t’i zhvilluar ndeshjet në Fier, për të patur përkrahjen e publikut, i cili është tepër i rëndësishëm sidomos në fazën finale të veprimtarisë. Ju sqarojmë se, jo vetëm skuadra jonë, por të gjitha skuadrat e të rriturave dhe të rinjve, veprimtaritë e tyre i zhvillojnë jashtë qytetit të Fierit, për shkak të mosplotësimit të kushteve dhe jo per fajin tonë. Gjithashtu, ju bëjmë me dije se nuk është e vërtetë që ka patur vetëm një lojtare nga Fieri.
Sepse, përveç saj, në përbërje të ekipit tonë kanë qenë dhe dy nga basketbollistet fierake më të talentuara të viteve të fundit, që kanë përfaqësuar qytetin e Fierit dhe ekipin kombëtar të basketbollit, siç janë Enisa Semanjaku dhe Adelajda Aliaj. Ju sqarojmë se, në kampionatrin kombëtar të basketbollit, nuk aktivizohej asnjë sportiste tjetër fierake, e cila mund të jetë anashkaluar nga ana jonë, dhe, për më tepër, dy sportistet më të reja të ekipit të parë, Dishnica dhe Baraj, kanë dhëne një kontribut mjaft të rëndësishëm duke qenë lojtaret kryesore në ekipin e te rejave të Apolonisë.
Ishte ky ekip i cili doli në finale dhe u mund me një diferencë shumë të vogël nga ekipi i Flamurtarit. Megjithatë, një logjikë e tillë, nuk është aspak serioze, sepse në sportin e ditëve të sotme, nuk ka kufi për lëvizjen e lojtarëve. Sepse sot sporti është global dhe jo lokal dhe kjo ndodh jo vetëm në basketboll, por dhe në sportet e tjera, në vendin tonë dhe kudo nëpër botë. Në intervistën e tij, z. Muka flet për një buxhet prej rreth 700,000 lekësh në muaj për skuadrën, gjë që është tërësisht e pavërtetë, sepse ekipi është paguar sipas kontratave të nënshkruara nga vetë klubi me lojtaret, siç është rënë dakord më parë.
Kjo vërtetohet fare lehtësisht, duke qenë se pagesat kryhen vetëm nëpërmjet bankës, pra, ose kemi të bejmë me një abuzim në administratën që ju drejtoni, ose kemi një dashakeqësi kundrejt punës tonë. Gjithashtu, kërkojmë t’i sqarojmë z. Muka se pagesë për sallë sportive, nuk është kryer asnjëherë dhe kjo është një tjetër gënjeshtër apo dashakeqësi e autorit të shkrimit. Për më tepër, ju bëjmë me dije se pagesat për zhvillimin e stërvitjeve në sallat sportive, pagesat e udhëtimeve për ndeshjet jashtë, dieta për udhëtimet, shpenzime për bazë materiale apo pagesa për shërbime të tjera, si mjekësore apo fizioterapi, janë paguar nga Qendra Minibasket Tirana (të cilën e drejtoj unë), nga buxheti im familjar, si dhe nga donacione të miqve të mi apo dashamirësve të ndryshëm të basketbollit.
Vitin e kaluar, skuadra e Apolonisë u përforcua edhe me një lojtare amerikane, për të cilën klubi “Apolonia” nuk ka paguar asnjë qindarka dhe këtë mund ta verifikoni në klub, por të gjitha shpenzimet për të, si pagesë udhëtimi, akomodim, taksa, federim, paga e saj, etj., janë siguruar nga donatorët e sipërpermendur. Për të gjitha këto arsye, mendonim të paktën të kishte një mirënjohje nga klubi “Apolonia”, por ndodhi krejt e kundërta, si i thonë një fjalë të urtë, “bëj mirë dhe gjej keq”.
Do të ishte më serioze që, klubi që ju drejtoni, jo vetëm t’i falënderonte për kontributin e tyre vajzat, por të jepte dhe pjesën e prapambetur të pagave nga sezoni i kaluar, sepse është djersa e tyre dhe për ato pagesa ato kanë tepër nevojë. Së fundmi dëshiroj t’ju kujtoj se shkrirja e skuadrës së basketbollit për femra, e cila ishte krenaria e sportit në qytetin e Fierit, duke fituar Kupën e Shqipërisë dhe e dyta në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit, duke e humbur kampionatin vetëm në ndeshjen e 5-të të “play-off”-it, nuk erdhi nga lojtaret apo nga ne trajnerët, por nga një telefonatë e juaja me një fjali të shkurtër e të thatë: “Ekipi shkrihet me urdhër të Kryetarit të Ri të Bashkisë”.
Është plotësisht e drejta juaj se çfarë do të bënit me ekipin apo me ne si trajnerë, por për ne dhe lojtaret, mënyra se si na u komunikua ky vendim ishte tepër fyese dhe, për më tepër, të hidhni sërish baltë mbi punën tonë, e mirë, apo e keqe e tregojnë rezultatet e arritura, është e patolerueshme, sepse me këto deklarata, ju keni mohuar gjithçka që vajzat dhe ne kemi bërë për ekipin e Apolonisë dhe qytetin e Fierit, i cili vjet na ka nderuar me çmimin “Krenaria e Qytetit”. Ju lutemi, informohuni më tepër dhe pastaj mund të dilni në konkluzione përfundimtare.
* Ish-trajnerët e ekipit të basketbollit “Apolonia” (Femra )