Falë negociatave të zhvilluara me Federatën Shqiptare të Xhudos, Klubi Shumësportësh “Besa” do ta ketë në organikën e vet këtë disiplinë sportive për vitin 2017. Specialisti Marked Lemeti është ngarkuar të drejtojë në detyrën e trajnerit dhe ka mbaruar specializimin për këtë sport në shtetin fqinj të Maqedonisë, teksa ka licencën përkatëse.
Ndërkohë, edhe pse zyrtarisht xhudoja kavajase do të njihet në Asamblenë e kësaj fundjave, që më datë 28 janar 2017 që do të mbahet në Tiranë, bashkëpunimi me Federatën e Xhudos ka nisur që në tremujorin e fundit të vitit 2016. Është mundësuar ardhja e një sasie baze materiale, konkretisht dyshekë dhe uniforma të reja. Aktualisht janë regjistruar 16 sportistë të vegjël të kategorive Nën-13-vjeç dhe Nën-15-vjeç.
Dhe, pasi kanë përfunduar më parë testet mjekësore, ata do të nisin impenjimin e tyre të ri. Fillimisht, në dispozicion të tyre do të jetë palestra e shkollës 9-vjeçare “Mehmet Babamusta”, pasi në këtë shkollë ka një grup të mirë nxënësish të talentuar si në futboll, atletikë, lojëra me dorë, etj. Gjatë vitit 2016, shumësportëshi i Besës njohu disa rezultate pozitive.
Siç ishin shpallja “kampion kombëtar” në mundjen e lirë e sportistit Altin Kurti, apo dy renditjet si nënkampion në çiklizëm të Altin Popës e Përparim Rrocit, ndërsa në sportin e boksit u shpall nënkampion për kategorinë e shkollorëve boksieri me perspektivë Mario Skuqi. Një promovim interesant pati edhe sporti i atletikës, ku atleti i garave të gjata Bruno Puqja zuri vendin e 7-të në Kampionatin Ballkanik të Maratonës.
Momentalisht, një nga veprimtaritë më të rëndësishme që është në prag dhe ka nisur seriozisht puna për një organizim sa më të mirë, është Gara Kombëtare Çiklistike “26 Marsi” për Kategoritë “Paratërinj dhe Të Rinj”, veprimtari kjo që ka përmbi një 10-vjeçar që zhvillohet tradicionalisht në Kavajë duke respektuar njëkohësisht dhe “Ditën e Demokracisë” së qytetit.