Gjergj Vyshka 24.02.2016 10:05
Paraqitjet e mira të xhudistëve shkodranë në veprimtaritë ndërkombëtare vazhdojnë sërish. Kështu ka raportuar gazeta online “Shkodrasport.com”, ndërsa të shtunën e kaluar katër sportistë të Vllaznisë dhe Vau Dejës kanë marrë pjesë në turneun e zhvilluar në Podgoricë të emërtuar “Mladost Open Cup”.
Përveç tyre në këtë veprimtari kanë marrë pjesë edhe shumë sportistë nga ekipe të ndryshme të Ballkanit, të cilët kanë konkurruar në grupmosha të ndryshme. Ekipet shqiptare janë përfaqësuar me Luka Lukajn, që ka konkurruar në peshën 46 kg, me Brikena Dinin po në 46 kg, me Anxhela Krasniqin në 63 kg dhe me Reoland Vasinë në peshën 60 kg.
Natyrisht që në çdo peshë ka pasur rivalitet, por dy prej sportistëve shqiptarë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë. Sara Dini, duke konkurruar në kategorinë “pionierë” në peshën 31 kg, ka arritur të fitojë tre takime duke dalë në finalen e këtij turne, atje ku është mundur nga një kundërshtare më me përvojë.
Dhe Dini është renditur në vendin e dytë dhe ka merituar medaljen e argjendtë. Një figurë të mirë ka bërë edhe Reoland Vasija, që në kategorinë kadetë ka fituar dy ndeshje dhe ka dalë në finale, por pa arritur dot të marrë medaljen e artë. Por edhe e argjendta është një sukses për të.