Gjergj Vyshka 09.12.2015 14:20
Xhudo shqiptare ka nisur të mendojë që tani për t’u përgatitur për Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2017”. Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Xhudos, Labo Çapo, ndërsa ka pohuar se në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar është hartuar dhe një program stërvitor.
Madje janë caktuar edhe sportistët kandidat për të përfaqësuar xhudon shqiptar në Mesdhe pas dy vjetësh. Dhe një ekip i xhudos shqiptare sapo ka përfunduar një kamp stërvitor, i cili ka zgjatur dyjave dhe është zhvilluar në qendrën stërvitore në Pejë të Kosovës.
Kjo stërvitje, sipas Çapos, është drejtuar nga trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka. Dhe në këtë stërvitje të përbashkët me “kampionë” si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova kanë qenë Indrid Çullhaj i peshës 60 kg, si dhe Jon Vrenozi e Idajet Dollomaja të peshës 73 kg, por dhe Serxhino Topi i peshës 90 kg.
E përveç tyre në këtë stërvitje ka qenë edhe Arta Mërturi e peshës 57 kg. Po kështu ka qenë edhe Luigj Vata, të cilin Federata Shqiptare e Xhudos e ka cilësuar një sportist të perspektivës, sepse kështu e kanë cilësuar në fakt specialistët e kësaj disipline të arteve marciale.
“Do të vazhdojë stërvitja intensive e ekipit dhe do të ketë edhe disa trajnime në vazhdimësi”, – ka thënë Çapo duke vulosur kështu seriozitetin dhe përkushtimin e sportistëve dhe trajnerëve për të bërë më të mirën në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2017”, sepse xhudo shqiptare pas dy vjetësh kërkon të jetë në zonën e medaljeve në këtë veprimtari.