Gjergj Vyshka 03.06.2016 15:30
Xhudoja shqiptare tashmë është gati për pjesëmarrjen në një tjetër veprimtari ndërkombëtare. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Xhudos, Labo Çapo, bëhet fjalë për të marrë pjesë nga data 3, deri më 5 qershor në Kampionatin Ballkanik të Të Tinjve.
Veprimtari e cila zhvillohet në Bihaç të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa delegacioni shqiptar do të ketë si shef Altin Përgjergjin dhe trajner Erind Carën. E sportistët pjesëmarrës do të jenë Jon Vrenozi (pesha 66 kg), Aldo Lushaku (pesha 66 kg) dhe Françesko Gega (pesha 73 kg).
Sportisti i fundit stërvitet në Itali, ndërsa shpresohet që përfaqësimi i Shqipërisë në Ballkaniadën e Të Rinjve të jetë dinjitoz. Ndërkohë, nga data 22, deri më 24 qershor 2016, presidenti i Federatës Shqiptare të Xhudos, Muharrem Harizi, dhe sekretari i përgjithshëm i saj, Labo Çapo, do të jenë përfaqësuesit e Shqipërisë në Kongresin Ballkanik, që do të zhvillohet në Shkup.
Dhe në të njëjtin vend e në të njëjtën periudhë do të zhvillohet Kampionati Ballkanik i moshës deri në 15 vjeç, ndërsa, sipas Çapos, sportistët pjesëmarrës do të caktohen më vonë. Tashmë në qendër të vëmendjes është pjesëmarrja dinjitoze e Shqipërisë në Ballkanikun e të rinjve këtë fundjavë në Bihaç të Bosnje-Hercegovinës.