Gjergj Vyshka 28.06.2016 10:45
Shqipëria e xhudos ka ardhur me dy medalje nga Kampionati Ballkanik i moshës deri në 15 vjeç, që është zhvilluar në këtë fundjavë në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup. Nuk ka qenë një delegacion “shumë e për lumë”, të paktën siç ndodh me një shumicë disiplinash, sidomos në ballkaniada, atje ku gjithçka e shohin e një shëtitjeje. Por një delegacion sportiv xhudistësh me dy sportistë e një trajner, të cilët në fund ia kanë zbardhur faqen Federatës Shqiptare të Xhudos.
Nuk duhet harruar se është ndër ato Federata që tashmë jo vetëm që ka bërë kualifikimin e licencimin e instruktorëve të parë sipas modelit të ofruar nga Federata Botërore, por mbi të gjitha është duke punuar me një program të zgjeruar për fëmijët. Sepse aty nis dhe baza e zhvillimi të këtij sporti. Ndaj dhe efektet janë dhënë që në ballkaniadën e moshës deri në 15 vjeç me shpresën që nesër këta medalistë, apo dhe shokët e tyre të jenë të tillë dhe në Evropian e Botëror.
Sipas informacionit që ka sjellë për mediet sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Xhudos, Labo Çapo, Shqipëria është përfaqësuar me dy sportistë në të njëjtën peshë. Bëhet fjalë për Luigj Vatën dhe Nikola Gjukiç, të cilët janë shoqëruar nga trajneri Altin Përgjergji, një ndër ata instruktorë të licencuar javën e kaluar edhe nën prezencën e drejtuesve të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.