ASNN – Sipas organizatorëve të Turneun Ndërkombëtar të Xhudos, e veçanta e kësaj veprimtarie ishte dhënia e të gjithë të pranishmeve të medaljeve të arta. ““Nënë Tereza” është e arte e ndaj në respekt e në nderim të saj të gjithë të konsiderohemi të barabartë e të përcjellim mesazhet e paqes më shumë se sa të egos”, – u shpreh për AlbaninanSport.net, mjeshtri Anton Shkoza në cilësinë e organizatorit kryesor të kësaj veprimtarie, ndërsa shtoi se nëpërmjet diplomave u vlerësua vendi i merituar nga konkurrenca e xhudistëve.
Në prononcimin e tij, Shkoza u ndal edhe tek një problem jo pak shqetësues në lidhje me mosbashkëpunimin si duhet të strukturave drejtuese të Federatës Shqiptare të Xhudos dhe xhudos shkodrane. Sipas Shkozës, edhe pse pak ditë më parë në një takim të zhvilluar në Tiranë me praninë edhe të Zv/Ministrit të Sporteve, u vendos nisja e bashkëpunimit mes palëve, ftesës së bërë nga ana e organizatorëve për pjesëmarrjen në këtë veprimtar, nuk iu përgjigj asnjë prej drejtuesve të federatës përkatëse.
Jo vetëm kaq, por Federata Shqiptare e Xhudos ka vepruar, duke penguar në të njëjtën kohë edhe ekipet e tjera shqiptare të marrin pjese. Një problem ky që, për trajnerin Shkoza duhet të marrë zgjidhje sa më parë, sepse në këtë mënyrë ajo që dëmtohet drejtpërdrejt është cilësia dhe e ardhmja e xhudos shqiptare. Vlen të përmendet se sponsori kryesor i kësaj veprimtarie ishte Bashkia e Vaut të Dejës, në bashkëpunim me Sport Klub “Vllaznia”.