AlbanianSport.com 22.08.2015 12:05
ASNN – Ka ardhur si një “rrufe në qiell të pastër” lajmi se Majlinda Kelmendi ka pak gjasa që të mbrojë titullin e “kampiones së botës” në xhudo. Kjo sepse sportistja më e mirë kosovare e të gjitha kohërave nuk pritet të garojë fare në Kampionatin Botëror të Xhudos, që nga data 24, deri më 30 gusht 2015, mbahet në Astana të Kazakistanit. Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, përfaqësuesja e Kosovës, duke përfshirë edhe Kelmendin, do të udhëtojë sot për në Kazakistan.
Me gjithë faktin se do të jetë në Botëror, Kelmendi ka pak gjasa që të garojë për shkak të problemeve shëndetësore të rishfaqura. Ajo nuk është plotësisht e gatshme për luftë në tapet dhe, për këtë arsye, së bashku me trajnerin Driton Kuka, ka mundësi të mëdha që të vendosë për të mos garuar. 24-vjeçarja nga Peja pësoi një dëmtim të gjurit në fillim të vitit dhe në janar iu nënshtrua menjëherë një operimi. Së fundi ajo ka garuar në dhjetor të vitit të kaluar.
Majlinda ka pasur fazë të suksesshme rikuperuese, por në javët e fundit i janë paraqitur disa dhembje në shpinë që nuk i kanë mundësuar të kryejë si duhet stërvitjet e forcës. Ndonëse është shpresuar që gjendja t’i përmirësohet deri në ditët e fundit para botërorit, përmirësimi i madh në të cilin kanë shpresuar vetë Kelmendi dhe trajneri Kuka, nuk ka ndodhur. Në këtë veprimtari Majlinda Kelmendi do të synonte, për të tretin sezon radhazi, kurorën e më të mirës së botës në peshën e saj.
Botërori i xhudos, ngjarja më e madhe e këtij viti në këtë sport luftarak, mbahet në Astana të Kazakistanit, nga 24 deri më 30 gusht dhe Majlinda Kelmendi ishte cilësuar si favorite absolute në kategorinë deri 52 kilogramë. Kështu shkruante para dy ditësh faqja zyrtare në Internet e Federatës Evropiane të Xhudos (EJU), në një analizë mbi këtë veprimtari të të rriturve. Garat në kategorinë e Kelmendit, atë deri 52 kilogramë, është planifikuar të zhvillohet të martën e ardhshme, më 25 gusht 2015.
“Majlinda Kelmendi është favorite absolute në kategorinë deri 52 kilogramë”, – shkruante faqja në fjalë ndër të tjera për xhudisten pejane, duke vijuar: “E pamposhtur për dy vite, Kelmendi ka seri të fitoreve që mund të krahasohet vetëm me atë të Tedi Rinerit. Për të vënë në pah rolin e favorites, Kelmendi ka bilanc 5-0 ndaj rivales më të afërt Andrea Çitu.”
“Gjasat më të mëdha për një surprizë janë ndoshta kundër japonezes Juki Hashimoto, apo ruses Natalia Kuziutina”, – vijonte më tej analiza e artikullit të faqes së Internetit të organizmit që qeveris xhudon botërore. 24-vjeçarja Majlinda Kelmendi është kampione në fuqi e botës, një kurorë që e mban gjatë dy viteve të fundit. Por lajmet më të fundit sugjerojnë se ajo do të jetë e detyruar ta dorëzojë këtë kurorë këtë vit, madje pa u ndeshur fare, për shkak të dëmtimit.