AlbanianSport.com 18/01/2019 19:00
ASNN – Presidenti Meta vlerëson ekipin e xhudos së Kosovës: “Jeni ambasadorët të shkëlqyer të vlerave të kombit shqiptar”. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti dje në një takim një delegacion të veçantë, një delegacion sportiv nga Kosova, më saktë xhudistët e saj që kanë shkëlqyer me cilësitë dhe rezultatet e tyre në botë. Në krye të të ftuarve qëndron kampionia e botës dhe kampionia olimpike, “xhevahiri” i sportit shqiptar në tërësi, Majlinda Kelmendi, si dhe trajneri i saj, i mirënjohuri Driton Kuka.
Takimi u zhvillua në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Olimpike “Tokio-2020”. Sipas informacionit të dhënë në profilin zyrtar të Presidencës në rrjetin social “Facebook”, Presidenti Meta u ka uruar sportistëve të xhudos suksese dhe paraqitje dinjitoze në të ardhmen, për të bërë krenarë shqiptarët me rezultatet e tyre dhe me sukseset e tyre të rëndësishme në këtë sport.
“Një takim i ngrohtë me krenarinë e sportit shqiptar, Majlinda Kelmendi dhe kampionët e xhudos nga Kosova Shpat Zeka, Erza Muminoviq dhe Akil Gjakova dhe trajnerin e tyre të mirënjohur Driton Kuka, ambasadorët e shkëlqyer të vlerave më të mira njerëzore e sportive të kombit shqiptar në botë, – shkruan kreu i shtetit. – U urova shumë suksese në stërvitjen që kanë nisur për Lojrat Olimpike “Tokio-2020”, besimplotë se do të arrijnë të ngrenë lart flamurin e Kosovës.”
“Majlinda, Distria, Nora, Erza, Akili, Shpati e shumë sportistë të tjerë janë motiv krenarie dhe model suksesi për fëmijët e të gjithë të rinjtë shqiptarë”, – përfundon Presidenti i Republikës, Ilir Meta.