AlbanianSport.com 18.04.2016 18:00
ASNN – Stërvitja për disa ditë me Majlinda Kelmendin ka qenë pikë kthese në karrierën e xhudistes së re çeke, Renata Zaçova. 15-vjeçarja të shtunën fitoi Kupën Evropiane për paratërinj, që u mbajt në Teplice të Republikës Çeke.
Ajo mori medaljen e artë në kategorinë e peshës trupore deri në 52 kilogramë, kategori në të cilën garon edhe kampionia kosovare, Majlinda Kelmendi. Për Renata Zaçovën, ky ishte suksesi më i madh në karrierën e deritashme.
Në fund të janarit, së bashku me xhudistë tjerë të klubit çek të Olomoucit, ajo qëndroi për stërvitje në Pejë, tek klubi “Ippon”. Gjatë qëndrimit në Pejë, ajo pati rastin të stërvitet së bashku me kampionet kosovare, por edhe me trajnerin Driton Kuka.
Zaçova është çekja e parë që ka fituar medalje të artë në turneun e Teplicës. “Vitin e kaluar, u mposhta në turin e dytë dhe vendosa të ndryshoj diçka”, – ka thënë Zachova për faqen zyrtare të Federatës Evropiane të Xhudos.
“I premtova vetes se vitin tjetër do të paraqitem shumë më mirë. Vendosa së bashku me trajnerin që të përmirësoj stërvitjen time, – ka vijuar ajo. – Trajneri Jiri Stepan ka kontribut të madh në këtë medalje.”
“Në janar, ai më siguroi një kamp stërvitor për mua në Kosovë, ku unë kisha mundësinë që të stërvitesha për më shumë se një javë me idhullin tim, Majlinda Kelmendi, kampionen e dyfishtë të botës në kategorinë time.”