AlbanianSport.com 22/02/2019 22:55
ASNN – Majlinda Kelmendi nuk u ndahet medaljeve të arta, tjetër triumph në “Grend Slem”-in e Dyseldorfit. Medalistja olimpike dhe njëherësh krenaria e sportit shqiptar, Majlinda Kelmendi, u konfirmua dhe një herë si fituese e vendit të parë në kategorinë e peshës trupore 52 kg, duke triumfuar në turneun e madh të xhudos në Dyseldorf të Gjermanisë, ku edhe mori medaljen e artë.
Në këtë veprimtari, që vlen për pikë olimpike, sportistja e Kosovës shoqërohej nga trajneri i saj Driton Kuka, dhe ecuria në garë e Kelmendit ishte e jashtëzakonshme, e shkëlqyer. I kaloi turet njëri pas tjetrit, duke i mundur kundërshtaret e saj me lehtësi dhe në një moment (çerekfinale) kur i duhej të bënte në pak sekonda të pamundurën ia del me mjaft efikasitet.
Duke shkuar në finale, ku mposhti kundërshtaren e saj mongoleze, 17-vjeçaren Sosorbaram Ikhagvasuren. Para se të shkonte në finale, Kelmendi mundi italianen Odetë Xhufredi, sportiste të cilën e kishte mundur edhe në finale e madhe të Lojërave Olimpike në Rio de Zhaneiro në vitin 2016. Xhudistja shqiptare e ka medaljen e artë të dytë për këtë vit , pasi një muaj më parë ajo fitoi Çmimin e Madh të Tel Avivit, duke qenë kështu një xhevahir i sportit shqiptar.