AlbanianSport.com 07.02.2015 08:10
ASNN – Majlinda Kelmendi është operuar para dhjetë ditësh, ndërsa në fillim të javës nisi rehabilitimin në Slloveni. Ajo ka pësuar lëndim të ligamenteve të gjurit të majtë, ndërsa doktori që po udhëheq rehabilitimin e kampiones kosovare, Mitja Braçiç, të paktën edhe sipas së përditshmes së mirënjohur kosovare “Koha Ditore”, tashmë është i sigurt për një gjë.
“Majlinda do të kthehet në xhudo edhe më e fortë sa që ishte para se të pësonte lëndimin”, – ka thënë ai për të përditshmen në fjalë. Fillimisht ishte thënë se Majlinda mund të mungojë deri në 6 muaj dhe se nuk dihet nëse do të jetë në gjendje të marrë pjesë në Lojërat Evropiane që mbahen në muajin qershor. Por slloveni Braçiç ka të tjera plane për kampionen e botës.
Ai ka thënë të enjten se synimi i Kelmendit është triumfi në edicionin e parë të Lojërave Evropiane në Baku. “Dëmtimi natyrisht do të ndikojë në karrierën e Majlindës, – ka thënë Braçiç për gazetën “Koha Ditore”. – Ajo do të jetë edhe më e motivuar që të fitojë Lojërat Evropiane në Baku, ndërsa vitin tjetër “Rio 2016” do të jetë kulmi i saj.” Mitja Braçiç është i njohur për punën që bën për rehabilitimin e sportistëve.