AlbanianSport.com 03.01.2017 13:05
ASNN – Viti 2016 do të mbahet gjatë në mendjen e krenarisë së sportit të Kosovës, Majlinda Kelmendit. Në vitin që sapo u mbyll, xhudistja pejane ka arritur majat e botës, duke fituar medaljen e artë në Olimpiadën “Rio 2016”-të, dhe duke triumfuar në shumë turne të mëdha ndërkombëtare. Majlinda është sportistja e parë që i sjell medalje të artë Kosovë, në pjesëmarrjen e parë në një Olimpiadë, sukses ky që shumë shtete të tjera e ëndërrojnë prej shumë dhjetëvjeçarësh.
Në një intervistë për Agjencinë “KosovaPress”, Majlinda është shprehur tejet e lumtur më sukseset e arritura në vitin 2016, sidomos kur këto suksese erdhën pas dëmtimeve që xhudistja kishte pësuar dhe kapërcyer në vitin 2015. Prandaj, ajo thotë se viti 2016 është viti më i mirë në jetën e saj. “Viti 2016, ka qenë viti më i mirë në jetën time dhe viti më i suksesshëm, duke e marrë parasysh se vitin 2015 kam qenë e dëmtuar dhe ka qenë shumë vështirë të kthehen në formën që gëzoja më parë”, – ka pohuar ajo.
“Ka pasur shumë batica dhe zbatica, por, lavdi Zotit, jam kthyer në formën më të mirë se ç’e kam pritur dhe, pavarsisht faktit që kam qenë e dëmtuar, ia kam dal të bëhem Kampione e Evropës dhe Kampione Olimpike, – ka vijuar Kelmendi për median në fjalë. – Viti 2016 në gjithë jetën time kam qenë si viti më i mirë pavarësisht asaj që mund të ndodhë në vitin 2017.” Por ajo e pranon se nuk ka qenë lehtë që, nga dëmtimet që kishte vuajtur në vitin 2015, të arrinte deri në majat e botës.
Majlinda thotë se në “Rio 2016” kishte shkuar më qëllimin për ta fituar medaljen e artë. Ajo ndihet tejet e lumtur që i gjithë mundi dhe puna që ka bërë nuk i ka shkuar dëm. “Gjatë vitit 2015, kam pas problem më vetëbesimin, duke marrë parasysh se nuk kam mundur të stërvitem shumë, mirëpo, një ditë ndodh mrekullia, dhe thjesht jam zgjuar dhe kam thënë së këto dëmtime, këto dhimbje nuk do të mund të më ndalin dhe do ta arrijë objektivin, synimin tim.”
“Kështu që kam punuar shumë, ka qenë shumë vështirë duke shkuar nëpër terapi dhe realisht ka qenë shumë vështirë, por në Rio kam shkuar më synimin për të marrë medaljen e artë dhe lavdi Zotit, ka shkuar ashtu siç e kemi planifikuar dhe nuk më ka shkuar mundi dëm”, – shtoi pejania. Ajo nuk mendon se ka ndonjë sekret të veçantë tek sukseset e saj. Majlinda thotë se gjithë këto suksese janë arritur falë punë së madhe, punës profesionale dhe përkushtimit të madh për sportin e xhudos.
Vijon nesër…