AlbanianSport.com 26/01/2019 17:20
ASNN – Pas arit të Majlinda Kelmendit, Loriana Kuka rrëmben medaljen e argjendtë në Izrael. Xhudo e Kosovës po regjistron suksese historike. Natyrisht, kur përmendet xhudo vëmendja shkon tek Majlinda Kelmendi, e cila dje bëri detyrën në tapet, duke fituar medaljen e artë në Çmimin e Madh të Tel Avivit në Izrael. Ishte një sukses i përsëritur dhe një rikthim i madh për kampionen e madhe shqiptare, medalisten e vetme olimpike të sportit shqiptar.
Ndërkohë, të shtunën ishte radha e Loriana Kukës që të tregohej e suksesshme në “Grand Prix” të Tel Avivit, e cila mori medalje argjendi. Sportistja garoi në peshën trupore deri në 78 kg dhe arriti deri në finale. Kuka mposhti me “ippon” garuesen holandeze Ilona Lukasen në turin e 16-shes. Në çerekfinale, xhudistja nga Kosova mposhti rusen Babintseva. Më pas erdhi gjysmëfinalja, ku Loriana Kuka mposhti britaniken Pauell me “ippon”.
Por në finale Kuka humbi me sllovenen Klara Apotekar. Me këtë sukses xhudistja ka grumbulluar 490 pikë olimpike dhe është në rrugën e duhur për të siguruar pjesëmarrjen në Olimpiadën e Tokios të vitit 2020. I emocionuar për këtë sukses është shfaqur edhe trajneri i mirënjohur Driton Kuka, i cili nuk i ka kursyer fjalët e mëdha për suksesin e sportisteve të tij.
“Loriana e argjendtë me shkëlqim të artë. Trepça nuk prodhon vetëm ari por edhe argjend. Majlinda medaljen e artë dhe 700 pikë olimpike, Loriana medalja e argjendtë 490 pikë olimpike. “Grand Prix Tel Aviv”, dy garuese dy medalje nismë e mbarë për ekipin tonë”, – shkroi trajneri i mirënjohur i xhudos shqiptare në Kosovë, Driton Kuka, në një postim në rrjetet sociale.