AlbanianSport.com 2710/2018 16:10
ASNN – Kosova ka xhudistë të shkëlqyer, të cilët janë në grupin elitë të këtij sporti në botë. Puna e mirë e trajnerit Driton Kuka ka bërë të dalin talente të mëdha në këtë sport dhe xhudistët e tij po shkruajnë histori me suskeset e tyre në pallatet e sportit kudo në botë. Ekipi i xhudos i Kosovës ishte triumfator në “Grend Slemi” i Abu Dhabit në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke fituar një medalje ari me Nora Gjakovën, si dhe dy medalje argjendi me Distria Krasniqin dhe me medalisten olimpike Majlinda Kelmendi.
Kjo e fundit ishte fare pranë medaljes së artë, por një hemoragji nga hundët detyroi gjyqtarinë ta ndërpriste ndeshjen për të mos pasur problem dhe Kelmendi mjaftohet me medaljen e argjendtë. Lajmi i mirë është se Kelmendi nuk ka dëmtim të rëndë dhe është pa pasoja. Trajneri Driton Kuka nuk i përmbajti emocionet e këtij suksesi të trefishtë. “Tri medalje, një e artë e dy të argjendta, – shkruan Kuka në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”. – Nora sot ishte e paparë. Majlinda u rikthye fuqishëm. U lëndua në çerekfinale dhe, në finale, gjakderdhja e tepërt detyroi mjekun ta ndërpresë ndeshjen.”
“Vendim të cilin e përkraha edhe unë, – ka vijuar trajneri. – Lëndimi s’është serioz përveç gjakderdhjes që s’lejoi të vazhdohet finalja. Distria sot ishte si në ditët e saja më të mira.” Më tej, strategu i suksesit të xhudos kosovare shprehet: “Akili nesër garon dhe shpresojmë në paraqitje të mirë. Nora 1,000 pikë, kurse Majlinda e Distria nga 700 pikë olimpike”, ka shkruar Kuka. Me tri medalje të “peshës së rëndë” nga turneu i Abu Dhabit, Kosova krenohet me meritë për sportistët e saj.