AlbanianSport.com 07.02.2015 19:50
ASNN – Eksperti slloven operimin e bërë në Kosovë e ka vlerësuar të shkëlqyeshëm. “Doktori ka bërë punë të shkëlqyeshme, – ka pohuar Mitja Braçiç. – Kështu edhe rehabilitimi do të jetë më i lehtë. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë problem. Lëndimet e kësaj natyre nuk mund të kontrollohen, pasi xhudoja është sport i kontaktit. Edhe kampionia jonë olimpike në xhudo, Urshka Zholnir, ka operuar të dy gjunjët pak vite para Lojërave Olimpike në Londër.”
“Më pas fitoi medalje të artë olimpike”, – shtoi ai. Ai vlerëson se Majlinda në aspektin fizik është e përgatitur “jashtë normales”. “Tek të gjithë sportistët që janë të përgatitur mirë rehabilitimi është më i lehtë, – ka pohuar slloveni. – Te Majlinda përgatitja është çudi botërore. Është vërtet e fortë për peshën që ka. Ka ende rezerva në stërvitje dhe atë do ta përdorim tani, pasi kemi kohë për stërvitje të mirë.” 37-vjeçari Braçiç ka përvojë të gjatë në sport.
Vitin e kaluar, ai punoi në Azerbajxhan si udhëheqës i Qendrës së Diagnostikimit Sportiv. Si konsulent sportiv bashkëpunon me Ministrinë e të Rinjve dhe Sportit të Sllovenisë dhe me Komitetin Olimpik të këtij vendi. Ka punuar me shumë sportistë cilësorë të Sllovenisë dhe kontrolloi gjendjen e sportistëve të ekipeve olimpike të Sllovenisë nëpër Olimpiada verore dhe Dimërore.
Ka përvojë të gjatë në Qendrën e Diagnostikimit Sportiv të Sllovenisë. Mitja Braçiç bashkëpunon edhe me shumë klube e ekipe përfaqësuese të Sllovenisë, Kroacisë, Norvegjisë, Rusisë e disa vendeve të tjera. Tani po kujdeset për rehabilitim më të shpejtë të shpresës më të madhe të Kosovës për Lojëra Evropiane e Lojëra Olimpike.