AlbanianSport.com 04/01/2018 11:30
ASNN – Akili i Kosovës merr titullin e kampionit Evropian për Nën-23-vjeçarët, i fiton të gjitha ndeshjet me “ippon”. Kosova po shkruan historinë në sportin e xhudos. Përveç vajzave të shkëlqyera që kanë regjistruar suksese të mëdha ndërkombëtare, e që kanë kulmuar me Majlinda Kelmendin kampione e botës dhe kampione olimpike, Kosova po nxjerr kampionë edhe tek meshkujt.
Në kuadër të Kampionatit Europian për moshat deri në 23 vjeç, që po zhvillohet në Gior të Hungarisë, Akil Gjakova fitoi medaljen e artë, duke i fituar të 5-ta ndeshjet e kësaj veprimtarie me “ippon”, një sukses brilant i tij. E nisi me serbin Filipoviç, më pas mposhti Shiperin nga Holanda, në çerekfinale theu Sullin nga Italia dhe në gjysmëfinale mposhti rumunin Cercea.
Kurse në finale, me një lëvizje fenomenale rrëzoi xhudistin nga Azerbajxhani, Mamadov, duke fituar me meritë medaljen e artë. Në të gjitha duelet fitoi me “ippon”, ndërkohë që Federata Evropiane e Xhudos ka sjellë një video nga momentet e tij më të mira në këtë kampionat, duke e zgjedhur si një sportist të mrekullueshëm dhe me të ardhme të madhe.
Brenda dy vitesh, Akili i Kosovës fitoi bronz më 2016-ën, argjend më 2017-ën dhe ar më 2018-ën, në këtë kampionat. “Që fituesi i Grand Slamit të Parisit mori një medalje në Evropianin e Nën-23-vjeçarëve nuk ishte befasi e madhe, – thuhet në postimin e Federatës Evropiane të Xhudos. – Synimi i tij ishte të kompletonte setin e medaljeve dhe 22-vjeçari nga Kosova e bëri këtë me një paraqitje të jashtëzakonshme.”
“Shijoni momentet më të mira të Akil Gjakovës”, – përfundon postimin e organizmit që qeveris xhudon kontinentale. Pak ditë më parë, xhudistet dhe xhudistët e Kosovës të udhëhequr nga trajneri Driton Kuka, fituan medalje të rëndësishme ari dhe argjendi në Turneun “Grand Slem” të Abu Dhabit. Pra, sukseset e këtij sporti në Kosovë nuk janë të rastësishme.