AlbanianSport.com 28/10/2018 15:15
ASNN – Kosova siguron një tjetër medalje nga Grand Slam i Abu Dhabit, Akil Gjakova vishet me argjend. Xhudo kosovare po nderon veten dhe shqiptarët me sukseset e saj. Nga turneu “Grand Slem” i Abu Dhabit, pas tri medaljeve që siguruan femrat, një ari e dy argjendi, sot ishte radha e meshkujve të linin gjurmë.
Nga meshkujt xhudon kosovare e përfaqëson Akil Gjakova, që arriti të shkojë në finale, por pa mundur të fitojë medaljen e artë. Ai u mjaftua me medaljen e argjendtë që sidoqoftë është një sukses i rëndësishëm. Xhudisti kosovar fitoi të medaljen e argjendtë në kategorinë deri 73 kg, teksa në finale u mund nga gjeorgjiani Lasha Shavdatuashvili.
Në gjysmëfinale Gjakova mundi rusin Mogushkov dhe pikërisht nga gjysmëfinalja e suksesshme ai kishte pritshmëri të mëdha edhe për medaljen e artë. Sidoqoftë, kosovari fiton medalje argjendi dhe ky është sukses i madh për xhudon shqiptare në tërësi.
Një ditë më parë, po në këtë aktivitet, Majlinda Kelmendi dhe Distria Krasniqi fituan medalje argjendi, kurse Nora Gjakova fitoi medalje ari. Me katër sportistë medalistë, trajneri i xhudos Driton Kuka ka arsye të krenohet e të besojë për suksese të tjera në vijim.