AlbanianSport.com 21.01.2015 22:50
ASNN – Xherdan Shaqiri ka shënuar menjëherë gol për Interin, në paraqitjen e tij të parë si titullar për skuadrën e re. Ylli kosovar i ka kaluar zikaltërit në epërsi në ballafaqimin me Sampdorian, duke mposhtur portierin Romero me një goditje të saktë brenda zonës në minutën e 72-të të ndeshjes së vlefshmë për kualifikimin për në çerekfinalen e Kupës së Italisë.
Shaqiri iu bashkua Interit, duke ardhur nga Bajerni i Mynihut, gjatë merkatos së janarit. Kurse, rezultatin përfundimtar e vulosi sulmuesi Mauri Ikardi, i cili kishte humbur edhe një 11-metërsh gjatë pjesës së parë, me golin e dytë të realizuar në minutën e 88-të. Sampdoria e mbylli ndeshjen me 9 futbollistë, pas përjashtimeve të Kërstiçiçit në pjesën e parë dhe Vzholekut në të dytën.
Dhe, menjëherë pas ndeshjes, mediat italiane e kanë vlerësuar paraqitjen e Shaqirit me notën 7.5. “Mund të bëhet gjithmonë më shumë, por ai do ta kujtojë me kënaqësi debutimin e tij në “San Siro” me fanellën e Interit, – thuhet në vlerësimin e mediave. – 15 minutat e para ishin të shkëlqyeshme me dy goditje të lira dhe pasim për Ikardin që solli përjashtimin e Kërstiçiçit.”
“Më pas, inkuadrimi i radhës, goli që theu bunkerin e kundërshtarit dhe ovacionet e mbarë stadiumit”, – përfundojnë vlerësimet për Shaqirin. Ndërkohë, sulmuesi i Interit, Mauro Ikardi ka lavdëruar Xherdan Shaqirin, pasi golat e tyre ndihmuan ekipin në fitoren 2-0 sonte ndaj Sampdorias, që u siguroi kualifikimin për në çerekfinalen e Kupës së Italisë.
“Shaqiri e Podolski? Janë kampionë të mëdhenj, me ta shpresojmë të arrijmë të shkojmë sa më larg që është e mundur”, – deklaroi Icardi i cili shpreson se Inter do të triumfojë në këtë veprimtari. “Duhet të vazhdojmë të shkojmë ndeshje pas ndeshje, dhe ashtu siç them edhe për kampionat, në fund të vitit do të shohim”, – ka përfunduar autori i golit të dytë.