AlbanianSport.com 01/12/2018 13:45
ASNN – “SKY Sport” e vlerëson Xherdan Shaqirin në 10 lojtarët më të mirë nga 300 futbollistë të Premier Ligës Angleze. Kur trajneri Jurgen Klop insistoi që Xherdan Shaqiri të vinte tek Liverpuli, shumë specialistë e quajtën të çmendur dhe lëvizjen të dështuar. Kur nuk kanë kaluar 6 muaj nga ky transferim, të gjithë po shkruajnë për këtë superblerje që bëri Liverpuli, duke marrë nga Stouk Siti një superlojtar për shifrën e 15 milionë eurove.
Në një analizë që ka bërë rrjeti prestigjioz i transmetimeve sportive, “Sky Sports”, vlerësohet që Xherdan Shaqiri jo vetëm e ka ndihmuar Liverpulin të jetë spektakolar, por është një prej futbollistëve me cilësitë teknike më të arrira dhe njëherësh lojtari më i mirë i “të kuqve” që krijon raste për gol, duke lënë prapa treshen e fuqishme të sulmit Salah, Firmino e Mane. Në fillim “Sky Sport” jep përshtypjen e trajnerit Klop kur e mori shqiptarin nga Stouk Siti.
“Ka shpejtësi dhe aftësi, – shprehej asokohe trajneri gjerman për shtatshkurtrin shqiptar, – ka arrogancë të mjaftueshme në fushë, ka guxim të kërkojë topin dhe të ndryshojë gjërat. Është lojtar që bën dallim të madh në skuadër dhe në ekip, sepse mund të përshtatet në shumë pozita të sistemit tone.” Sipas “Sky Sports”, në vetëm pak kohë që kishte mbërritur, Shaqiri shfaqi shenja kur vrapoi gjysmë kilometri (11.5 km) më shumë se çdo lojtar tjetër i Liverpulit në ndeshjen kundër Hadërsfilldit.
“Në fakt, Shaqiri ka mbuluar më shumë hapësirë të fushës në një ndeshje të Premier Ligës, – shkruan “Sky Sports”, – Shaqiri po ndihmon Liverpulin kur lojtarët janë jashtë pozitave, por puna e tij me topin ka qenë e mahnitshme. Në 381 minuta, ai ka realizuar dy gola dhe ka dhënë dy pasime për gol. Golat, i pari ndaj Kardifit, dhe i dyti ndaj Fulhamit, kanë qenë të realizuar bukur.” Dhe në fund jepet statistika mbresëlënëse e futbollistit shqiptar të kombëtares helvete, sidomos për treguesit e krijimit të rasteve për gol.
Aty, ku Shaqiri është pothuajse i pakrahasueshëm me lojtarët e tjerë jo vetëm të Liverpulit, por në të gjithë kampionatin anglez. “Mesatarja e tij prej 2.1 rastesh të ndërtuara brenda 90 minutave, – vijon komentin e vet “Sky Sports”, – e çon Shaqirin para Salahut dhe e rendit në vendin e 11-të midis 287 lojtarëve të Premier Ligës që kanë luajtur së paku 360 minuta.”