AlbanianSport.com 10.09.2015 13:50
ASNN – Mesfushori kosovar, Xherdan Shaqiri, është kthyer të mërkurën tek Stouk Siti, ndërsa menjëherë ka vendosur edhe objektivin që në ndeshjen e radhës në Premier Ligën Angleze të marrë pikë me skuadrën. Stouk Siti përballet të shtunën me Arsenalin në fushën e këtij të fundit, në kuadër të javës së 5-të të kampionatit anglez të futbollit.
Arsenali është e 6-ta me 7 pikë, ndërsa Stouk Siti e 18-ta, me 2 pikë. Duhet theksuar se Stouk Siti nuk ka marrë asnjëherë pikë në ndeshjet në fushën e Arsenalit. “Do të jetë ndeshje e vështirë ndaj Arsenalit, por ne shikojmë mezi po e presim dhe jemi pozitiv për këtë takim”, – ka thënë Shaqiri për faqen zyrtare të klubit anglez.
“Ndeshja me përfaqësuesen erdhi në kohë të mirë, kisha mundësinë të takoja shokët dhe familjen time në Zvicër, – ka zbuluar Shaqiri. – Jam i gatshëm të kthehem në aksion me Stouk Sitin dhe shpresoj të marrim rezultat pozitiv të shtunën. Duam që të marrim të paktën një pikë nga ajo ndeshje.”
Të martën mbrëma, Xherdan Shaqiri luajti për Zvicrën, që u mposht 0-2 nga Anglia në takimin e zhvilluar në “Uembli”. Prej lojtarëve shqiptarë të Zvicrës, më i vlerësuari ishte Valon Behrami, së bashku me portierin. Xherdan Shaqiri u vlerësua me notë mesatare, ndërsa Granit Xhaka me notë të dobët.