AlbanianSport.com 02.08.2015 07:55
ASNN – Sezon i ri, avaz i vjetër. Duket se ky është bërë lajtmotivi i Bajernit të Mynihut, të drejtuar nga Pep Guardiola, që e ka nisur në të njëjtën mënyrë edhe këtë sezon të ri, duke humbur Superkupën e Gjermanisë, për herë të tretë me spanjollin në krye të stolit. Bavarezët u mposhtën pas gjuajtjeve të 11-metërshave nga Wolfsburgu, një ekip që e kishte për herë të parë paraqitjen në një sfidë të tillë.
90 minutat e rregullta përfunduan 1-1 pas golave të shënuar nga Robben e më pas Bendtner, ndërkohë që nga penalltitë rezultoi vendimtar gabimi i Ksabi Alonsos. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të praprekura, ndërsa në të dytën, vetëm pas 4 minutash lojë, bavarezët gjejnë golin e epërsisë. Një aksion i Dagllas Kostës nga e majta e sulmit bavarez, topi dërgohet në qendër.
Portieri belg i “ujqërve” nuk e zotëron siç duhet topit dhe Roben fiton duelin e reflekseve me Levandovskin dhe godet shpejt, duke realizuar golin e parë pas rikthimit. Kishte që prej 22 marsit që nuk aktivizohej titullar. Por, kur gjithçka dukej se po shkonte në favor të kampionëve të Bundesligës, vetëm një minutë nga përfundimi i kohës së rregullt, është Bendtner, ai që shënon gol pas harkimit të De Bryjnes.
Pas këtij rezultati shkohet në gjuajtjet e 11-metërshave, aty ku Xabi Alonso ishte i vetmi që gaboi për bavarezët, ndërsa për Wolfsburgun shënuan që të gjithë. Superkupa e Gjermanisë shënoi edhe një rekord. Mbetet për t’u parë nëse Bajerni do ta kapërcejë këtë dështim për të mbrojtur titullin në Bundesligë dhe për të synuar suksesin edhe në Ligën e Kampioneve, në atë që mund të jetë sezoni i fundit i Guardiolës në Mynih.