AlbanianSport.com 24/06/2020 13:25
ASNN – Ishte shpresuar, deri në çastet e fundit, që të riktheheshin në parket dhe aty të vendoseshin edhe fituesit. Por, mungesa e një vendimi të qartë nga ana e autoriteteve shëndetësore në vend, por edhe afati 23 qeshor, që ishte vendosur në Asamblenë e Përgjithshme të 12 qershorit, për të rifilluar stërvitjet, bënë që volejbolli shqiptar të mbyllë zyrtarisht sezonin, por pa shpallur “kampionë”.
“Në vijim të situatës së pandryshuar për shkak të COVID-19 e duke qenë se deri më sot eshte akoma në fuqi Urdhëri i MSHMS, Nr.326, Datë 15/05/2020, “Për kufizimin e aktiviteteve sportive në sallat e mbyllura”, si dhe në respekt të skadencës së vendosur nga Asambleja e 31-të e FSHV-së për datën 23 qershor 2020, Komiteti Ekzekutiv vendosi ta konsiderojë zyrtarisht të përfunduar sezonin sportiv 2019-2020”, – thuhet në një njoftim të Federatës Shqiptare të Volebollit (FSHV), të publikuar sot.
“Dhe, duke u bazuar në klasifikimet, – vijon më tej njoftimi në profilin zyrtar të FSHV-së në rrjetin social “Facebook”, shpall fituesit për femra, meshkuj, Nën-21-vjeçarët meshkuj e Nën-20-vjeçaret femra, si më poshtë:
- Mirdita, fitues tek femra A1;
- Agritourism Huqi, fitues tek femra A2;
- Erzeni, fitues tek meshkuj A1;
- Skenderbeu, fitues tek Nën-20-vjeçaret (të reja);
- Farka Volek, fitues tek Nën-21-vjeçarët (të rinj).
“Duke iu referuar klasifikimeve në momentin e ndërprerjes për kategoritë përkatëse, femra e meshkuj, Komiteti Ekzekutiv vendosi gjithashtu që ekipet fitues, së bashku me ekipet e tjera, si edhe me fituesit e Kupës së Shqipërisë do të kenë të drejtën të marrin pjesë në Kupat e Evropës, sipas rregullave dhe kuotave të përcaktuara nga CEV-i”, – sqaron njoftimi i organizmit që qeveris rrjetën shqiptare.
“Ekipet të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në Kupat e Evropës, duhet të shprehin interesin e tyre dhe të dorëzojnë e dokumentacionin e plotë pranë Sekretariatit të FSHV-së, brenda datës 15 korrik 2020. Duke shpresuar që kjo situatë pandemie të mos përsëritet më kurrë, ju urojmë shëndet e suksese në sezonin e ardhshëm!”, – përfundon njoftimi i Sekretariatit të Federatës Shqiptare të Volejbollit.
Duhet theksuar këtu, se përtej një çoroditjeje fillestare të krijuar nga ky vendim, nocioni “fitues”, i referohet pozicionit deri në atë moment të garës dhe nuk nënkupton atë “kampion”, pasi në Asamblenë e para 12 ditëve, anëtarët e saj vendosën që, në rast të ndërprerjes, sezoni aktual nuk do të kurorëzojë “kampionë”. Renditjet e shpallura bashkë me këtë njoftim janë për efekt të kualifikimit për në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm.