Gjergj Vyshka 11.12.2016 18:25
Ndeshja e Studentit me Zirat Bankasi të Ankarasë, një skuadër milionere dhe me super lojtarë, duhet t’i shkundë të gjithë për nivelin e pasqyruar nga rrjeta shqiptare, ndërsa mbetemi përsëri në nivele inferiore.
Bashkëpunëtori i vyer i faqes sonë dhe gazetari me afro 20 vjet përvojë i të gjitha të përditshmeve të mëdha sportive në Shqipëri, “Sport Ekspres”, “Panorama Sport” dhe ish-“Sporti Shqiptar”, ka bërë një analizë mjaft të thellë dhe të gjerë të gjendjes në të cilën gjendet hëpërhë volejbolli shqiptar.
Këtë analizë të tij, AlbanianSport.com po jua sjell në 6 pjesë, duke nisur nga e premtja, e deri të mërkurën. Sot vjen pjesa e 3-të, një analizë mbi shtrirjen e sezonit, strukturën dhe formulën e veprimtarive kombëtare.
… vijon nga dje
Sot një kampionat volejbolli nis në tetor dhe përfundon në nëntor për të rifilluar më 4 shkurt e për të përfunduar në fillimin e majit. Jo vetëm kaq, Kupa e Shqipërisë luhet me fazë eliminatore sa për të thënë, sepse ato që pretendojnë, kualifikohen “pa një, pa dy”. Dikur dhe Kupa e Shqipërisë është luajtur me grupe me sistemin vajtje-ardhje atje ku 6 finalistet do të luanin për një javë në një Pallat Sporti.
Sigurisht që janë formula që i përmend dhe për nostalgji, sepse kështu rritnin numrin e ndeshjeve për skuadrat e për më tepër kishte dhe veprimtari të tjera. Dhe Studenti i trajnerit Ben Sako, në përballjen me Zirat Bankasi të Ankarasë e vuajti mbarimin e fazës së parë të kampionatit kombëtar më 26 nëntor 2016, sepse për dy javë ka bërë stërvitje vetëm me veten.
Dhe, duke qenë në kushte loje, çka mund t’i japi efekt kur të jetë ndeshja e kthimit, sepse më 16-18 dhjetor do të jetë në fazën eliminatore të Kupës së Shqipërisë, ndoshta do të jetë më ndryshe. Pra, ajo që mbetet dhe që numri i ndeshjeve të jetë shumë më i madh, duhet riparë formulat e veprimtarive kombëtare. Të gjithë e dinë se dikur bëhej nami nga Komitetet Ekzekutive nëpër rrethe nëse nuk do të ishe në 6-shen e parë.
Sepse kjo do të të çonte automatikisht në Spartakiadën Kombëtare. Kurse niveli në rënie është dhe efekt se askush nuk kërkon llogari në klube. Por të gjithë mundohen të marrin atë rrogë dhe të çojnë deri në fund atë buxhet minimal që marrin nga Bashkitë pa dhënë cilësi…
Vijon nesër…