Gjergj Vyshka 19.10.2015 18:55
Volejbolli shqiptar, edhe pse me vonesë për shkak të problemeve financiare që ka pasur, krijuar këto nga borxhet ndaj gjyqtarëve dhe hotel “Tirana-International”, tashmë është gati për të ngritur rrjetën zyrtarisht. Kështu të martën deri të enjten do të zhvillohet Kupa e Federatës Shqiptare të Volejbollit, e cila sivjet përkon me 70-vjetorin e krijimit të saj.
Ashtu sikurse është bërë edhe vitet e kaluara janë marrë katër skuadrat e para në renditje në fund të sezonit 2014-2015. Për femra janë Barleti Volej, Tirana, Teuta e Partizani. Kurse për meshkuj Studenti, Tirana, Vllaznia e Teuta. Ajo që vlen të theksohet është fakti se fitues në fuqi të Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit janë Barleti Volej për femra e Tirana për meshkuj.
Dhe pasi të ketë përfunduar kjo veprimtari të enjten, të shtunën do të nisë zyrtarisht kampionati kombëtar për sezonin 2015-2016. Përgjatë kësaj periudhe kaq të gjatë pauze është zhvilluar Kupa “Donald Suxho”, e cila shpalli fitues Studentin, si dhe disa ndeshje miqësore. Megjithatë më mirë vonë se sa kurrë, volejbolli tashmë do ta ngrejë zyrtarisht rrjetën për aktivitetet kombëtare.
Kupa e 70-vjetorit të
Federatës Shqiptare të Volejbollit
Femra
Gjysmëfinalet
(20 tetor 2015)
Tirana – Partizani ora 16:00
Barleti Volej – Teuta ora 18:00
Finalja
Më 22 tetor 2015 ora 16:00
Meshkuj
Gjysmëfinalet
(21 tetor 2015)
Tirana – Teuta ora 16:00
Studenti – Vllaznia ora 18:00
Finalja
Më 22 tetor 2015 ora 18:00