Nga Gjergj Vyshka 02.05.2016 17:05
Volejbolli shqiptar duket se po shkon në të njëjtin “hulli” me të gjithë shumësportëshin shqiptar. Sepse duke nisur nga ajo që cilësohet si maja e sportit shqiptar, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), e deri tek Federata më e rëndomtë e pjesës së sporteve të tjera, asnjëherë nuk zbardhen dhe nuk bëhen të ditura vendime të Komitetit Drejtues e të Komisionit të Disiplinës për mediat. Pale të mendosh që ato duhet të shkojnë zyrtarisht në ato klube, të cilat më pas kanë edhe të drejtën e ankimit dhe apelimit.
Por, në mënyrë të pakuptimtë, volejbolli shqiptar dje nuk ka lajmëruar asnjë nga shtypi që ka nisur një kurs kualifikimi me trajnerët e rinj, trajnerë që do të jenë e ardhmja e këtij sporti në vend. Deri më sot është lajmëruar seminari dyditor i gjyqtarëve, konferenca e shtypit e trajnerit të kombëtares së meshkujve, Jani Melka, e në fakt media nuk ka munguar. Aq më tepër që në këtë seminar njëjavor me Moro Branisllavin, në ceremoninë e hapjes së tij në mjediset e Hotel “Doro Cityt” ka qenë i pranishëm dhe ka përshëndetur presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Albens Vokopola.
Por, si i thonë një shprehje “mësojnë nga njëri-tjetri”. E në fakt nuk është vetëm ky rast që bën transparencën e munguar të Federatës Shqiptare të Volejbollit. Sepse më 27 prill është mbledhur Komisioni i Disiplinës për të analizuar ngjarjet e ndodhura në fazën eliminatore të kampionatit të të rejave dhe vendimet asnjëherë nuk janë bërë publike. E nëse janë marrë vesh kanë ardhur nga burime të tërthorta, ndërsa në klubin e Tiranës, më i dëmtuari në këtë rast, vendimi ka ardhur të premten e 29 prillit pa pasur kohë për apelim.
Përtej kësaj, edhe pse sot luhen gjysmëfinalet e volejbollit për të reja për titull “kampion”, Himara-Teuta dhe Vllaznia-Apolonia, askush nga mediat nuk është lajmëruar për oraret dhe vendin e zhvillimit. Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, që në fakt, edhe për shkak të Pashkës Ortodokse ka qenë tjetërkund, e ka pranuar si kritikë. Por kurrsesi nuk ka dashur ta etiketojë si mungesë transparence, por thjeshtë “neglizhencë”. Mirëpo imazhi më i mirë i një Federate sportive për të gjithë veprimtarinë e saj është pasqyrimi në medie.
Sepse në këtë rast, mund të cilësohet mungesë transparence, apo dhe neglizhencë e çfarëdolloj emri tjetër mund t’i vësh, është e thjeshtë që volejbollit t’i vihet një vizë në media e të mos pasqyrohet. Ndonëse pas futbollit e basketbollit, volejbolli është sporti i tretë më i madh në vendin tonë. E komuniteti i saj ka nevojë të pasqyrohet e të reklamohet me të mirat e të këqijat e tij. Sepse gjithkush duhet ta dijë se volejbolli nuk mund të jetë si gjithë të tjerët me mbajtjen fshehur të asaj që po bën…