Gjergj Vyshka 01.08.2016 16:10
Për të qenë transparent me të gjitha palët, “Sport Ekspres”, edhe duke qenë i pari që u mor me këtë rast, e ka botuar të plotë përgjigjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Albens Vokopola, përgjigje të cilën AlbanianSport.com jua sjell në vijim:
Dëshiroja që drejtuesi të klubit shumësportësh Vllaznia të mos nxitohej pa marrë një përgjigje zyrtare nga Federata Shqiptare e Volejbollit siç në fakt i është premtuar për të hënën. Në një kohë që kërkesa e tij vinte të premten pasdite!!! Sikur s’kishte pasur kohë që nga nëntori 2015, kur i është dërguar njoftimi e me pas fatura e parë për fazën e parë meshkuj dhe femra (të rritur/të rritura e të rinj/të reja) dhe që është paguar pjesërisht. Ky fakt tregon se ai nuk kishte kundërshtime apo kërkesa për vendimet e Komitetit Ekzekutiv, por thonte që do të paguhen sapo të aprovohet buxheti.
Kështu u mbyll viti 2015 dhe në shkurt 2016 dërgohet fatura për fazën e dytë dhe të tretë meshkuj (të rritur+transferimi i lojtarit të huaj), si dhe për fazën e dytë të femrave (të rritura/të rinj/të reja). Pas një likuidimi përsëri pjesor për ekipin e meshkujve (të rritur) dhe më pas të taksës së transferimit të lojtarit të huaj faturat mbeten përsëri të palikuiduara! Përsëri asnjë kërkesë nga ana e klubit për vendime të Komitetit Ekzekutiv, por paguan një pjesë dhe kaq. Një njoftim nga ana e Federatës në muajin Mars 2016 për të gjithë klubet/shoqatat përsëri nuk e zgjon drejtuesin e klubit Vllaznia për të likuiduar detyrimet apo për të kërkuar vendimet!!
Në të njëjtën kohe më duhet të sqarojë që është komunikuar me të gjitha klubet e shoqatat, të cilat kanë likuiduar detyrimet e tyre në kohë dhe gjej rastin t’i falënderoj për korrektësinë dhe seriozitetin e tyre në marrëdhënien me Federatën. Në veçanti dua të falënderoj Teutën, Skënderbeun dhe Tiranën, të cilat kanë një pjesëmarrje të plotë me ekipet e tyre në të gjitha nivelet dhe fatura të ngjashme ashtu si edhe Vllaznia, por me një ndryshim të madh që ata janë korrekt në pagesat e detyrimeve, pa dashur të mënjanojë klubet apo shoqatat më të vogla.
Gjej rastin t’i falënderoj edhe njëherë në emër të Federatës të gjithë ata që kanë qenë korrekt. Vijmë në komunikimin e Vendimit të fundit të Komitetit Ekzekutiv, ku Vllaznia kujtohet të kërkojë vendimet e para dy vjetëve. Megjithatë i komunikohet që në ditën e hënë do të kenë informacionin e kërkuar. Meqë drejtuesi i Vllaznisë zgjodhi rrugën e komunikimit nëpërmjet medias së shkruar për të gjetur një mënyrë justifikimi të detyrimeve të papaguara kundrejt Federatës Shqiptare të Volejbollit, atëherë po i përgjigjem me dokumentet që kërkonte:
Të gjitha faturat, jo vetëm për Vllazninë, por për të gjithë klubet/shoqatat, janë bazuar në Vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FSHV-së, Nr.5, 16/09/2014, si dhe Vendimi Nr. 2, 21/05/2015, për tarifën e pagesës pranë FSHV-së për aktivizimin e lojtarëve të huaj në aktivitetet zyrtare kombëtare të volejbollit shqiptar. Dokumentet e tjera të pagesave janë si më poshtë:
1) Fatura Nr. 9, 04/12/2015, dhe njoftimi Nr.95, 23/11/2015, për detyrimet e SK Vllaznia për fazën e parë të sezonit sportiv 2015-2016 me vlerë 143.500 lekë të rinj.
2) Fatura Nr. 32, 18/02/2016 për fazën e dytë dhe tretë meshkuj (te rritur) dhe fazën e dytë femra (të rritura e të reja), si dhe te rinj me vlere 147.500 lekë të rinj
3) Fatura Nr. 27, 11/05/2016 për fazën play-off meshkuj (të rritur) dhe fazën finale për të rinj e të reja me vlere 33.000 lekë të rinj.
Totali i faturave është në vlerën 324.000 Lekë
Nga këto, siç përmenda edhe më lart, janë likuiduar pjesërisht:
1) 35.500 lekë pjesore e faturës së pare (për ekipin e femrave, te rritura) në datën 31/12/2015;
2) 55.500 lekë pjesore e faturës së pare (për ekipin e meshkujve, të rritur) në datën 23/02/2016;
3) 30.000 lekë për tarifën e pagesës për aktivizimin e lojtarit të huaj në datën 01/04/2016.
Totali i likuidimeve pjesore është në vlerën 121.000 Lekë
Pra, detyrimet e palikuiduara janë në vlerën 203.000 lekë të cilat sipas njoftimit të bërë nga Sekretariati, në lidhje me vendimin e Komitetit Ekzekutiv Nr. 9, 21/07/2016, duhet të likuidoheshin brenda datës 31/07/2016. Gjithsesi Komiteti Ekzekutiv, në këtë vendim, ka vendosur edhe një afat të dytë deri në 31 Gusht 2016, por në këtë rast do të paguhet një penalitet në vlerën 20.000 lekë të rinj për ata që nuk kanë likuiduar brenda afatit te mëparshëm. Por, në rast se Klubi/Shoqata nuk do të kenë likuiduar brenda këtij afati të dytë, atëherë ato si debitore nuk do të regjistrohen në sezonin sportiv 2016-2017.
Për gjithçka të paqartë po ju vëmë në dispozicion një kopje të vendimit ku bazohen tarifat e vendosura.