AlbanianSport.com 27/09/2021 17:10
ASNN – Trajnerët bardheblu, Prenga-Sijoni dhe Sako, flasin pas fitores në Kupën e FSHV-së. Tirana ka shijuar një triumf të dyfishtë në parket të dielën, duke fituar trofeun e parë të sezonit, Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit, si për femra, ashtu edhe për djem. Dhe të dy trajnerët bardheblu, Amarilda Prenga-Sijoni dhe Ben Sako, e kanë hedhur vështrimin tek kampionati.
“Kjo veprimtari mbaroi dhe ky trofe tanimë i përket historisë dhe nuk ka asnjë vlerë sa i përket kampionatit, pasi e nisim gjithçka nga fillimi, – ka thënë ish-volejbollistja e njohur. – Siç e pamë edhe në gjysmëfinale, kemi ende punë për të bërë sa i përket kampionatit, pasi është ende herët dhe skuadrat pritet të përmirësohen me kalimin e kohës dhe nuk pritet të jenë ato që pamë në këto ndeshje.”
Të njëjtin mendim ndan edhe trajneri i meshkujve, Sako, teksa thotë: “E shijojmë këtë trofe, por vetëm kaq sepse përpara kemi kampionatin. Dhe unë pres një betejë, sepse ju mos e shikoni Vllazninë në këtë finale, pasi ajo, por edhe të tjerat do të jenë ndryshe, sepse është vetëm fillimi dhe do ta marrin veten. Pastaj është edhe janari dhe periudha e merkatos, ku skuadrat mund të përforcohen.”
Si për Prengën, që debutoi si trajner këtë sezon, ashtu edhe për veteranin Sako, ky triumf ishte i veçantë, por për arsye të kundërta. “Është kënaqësi të fitoj trofe me Tiranën, me të cilën ka fituar trofe si lojtar, por tanimë e bëj edhe si trajner”, – ka thënë trajneri i meshkujve. “Është një ndjesi krejt tjetër, por, përtej trofeut, unë dua të fitoj skuadrën time, besimin e tyre”, – ka thënë Amarilda.
“Prandaj nuk do të thoja se ky trofe është edhe aq i rëndësishëm, pasi ende nuk kam fituar asgjë dhe për këtë arsye mund të më uroni kur të nis të fitoj me të vërtetë trofe”, – ka përfunduar 40-vjeçarja. Për femra, Tirana triumfoi në 5 sete në finale në derbin ndaj Partizanit, ndërsa për meshkuj i mjaftuan 3 sete për të mposhtur Vllazninë.