Gjergj Vyshka 25.04.2016 22:05
Trajneri i Vlora Volejit, Agron Sako, edhe pse ka qenë i pranishëm në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” nuk e ka drejtuar ekipin: “Është tmerr kështu si e luajmë volejbolli ne”. Për shkak të formulës së gabuar të zgjedhjes së kampionatit teksa një ekipi i binte që të luante dy ndeshje radhazi, trajneri i Vlora Volejit, Agron Sako, ka gjetur formën e bojkotit, ndërsa edhe pse ishte në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” nuk e ka drejtuar ekipin e tij në përballjen me Himarën.
Madje pak e ka vrarë mendjen për atë se çfarë do të thonë kur Vlora e tij ka qenë më shume se e dorëzuar përballë Himarës. “Është tmerr të mendosh se si e luajmë ne volejbollin, – ka deklaruar Sako. – Isha në Durrës para se të vija këtu dhe pash Apoloninë ndaj Tiranës për të parë edhe ndonjë element për perspektivën e skuadrës sime. Kishte luajtur dy ndeshje radhazi dhe nuk qëndronin dot në këmbë. E njëjta gjë ndodhi me skuadrën time, por e njëjta gjë ka ndodhur dhe me Vllazninë.”
“Dhe unë e kam uruar trajnerin e skuadrës shkodrane për vendosmërinë për të fituar ndeshjet, – ka deklaruar trajneri vlonjat. – Mirëpo unë shtroj pyetjet kujt i shërben kjo mënyrë të luajturit. Por sikur largqoftë nga mbingarkesa të ndodhte ndonjë infarkt kush mban përgjegjësinë për këtë fenomen? Sepse të gjithë pjesëtarët e Federatës Shqiptare të Volejbollit i marrin lekët, ndërsa ne që i mbajmë vetë skuadrat nuk fitojmë asgjë.”
“Unë s’kam marrë një top nga Federata dhe sikur të dilja “kampion”, përsëri nuk fitoja asgjë. Por ne diskutojmë këtu për cilësinë e volejbollit, që me dy ndeshje radhazi brenda ditës nuk i duhet askujt”, – thotë Sako, i cili më tej vazhdon: “I kam dhënë volejbollit një pasuese 1.88 e gjatë si Ligaj, por kush e sheh. Një fenomen si Kabuci kush mund ta vlerësojë në të tilla kushte që ne luajmë. Jemi dy skuadra të Vlorës, pse duhet luajtur në Tiranë?”
“Nëse paskan problem për tre ditë shpenzimet le të vinin dhe ua gjeja unë hotel me 500 lekë të rinj nata. Por garë në të tilla kushte nuk mund të luhet”, – përfundon trajneri i Vlora Volejit, Agron Sako, që pak e ka vrarë mendjen për atë se çfarë do të thonë kur Vlora e tij ka qenë më shume se e dorëzuar përballë Himarës. Megjithatë përtej gjithçkaje, Vllaznia dhe Himara e kanë merituar kalimin në gjysmëfinale.