Gjergj Vyshka 02.12.2015 17:05
Takimi i presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erli Pëllumbi, me presidentin e Federatës Turke të rrjetës në Stamboll është pasqyruar edhe në faqen zyrtare në Internet të Federatës Evropiane të këtij sporti (CEV). Sepse turqit, të paktën edhe sipas informacionit që është vendosur në CEV.lu, e kanë cilësuar nderim të madh që në një kurs trajnerësh të marrë pjesë Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm i një federate të caktuar.
Siç ishte në këtë rast presidenti i volejbollit shqiptar, Erli Pëllumbi, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Albens Vokopola. Pikërisht për këtë arsye, presidenti i Federatës së Volejbollit të Turqisë, Mutlugil, e ka nderuar me një pllakatë të veçantë për vizitën e tij në Stamboll jo vetëm në mjediset e Federatës, por edhe në këtë kurs trajnerësh në të cilën kanë marrë pjesë 247 trajnerë.
Një seminar që është zhvilluar në Pallatin e Sportit “Burhan Felek” në Stamboll e që ka pasur për lektorë trajnerin e Fenerbahçes, Velko Basiç, trajnerin e kombëtares së Turqisë në volejboll për meshkuj Emanuele Zanini, si dhe trajnerin e të rinjve Mehmet Bedestenlioglu. Jo vetëm kaq, por ka referuar edhe trajneri i Halkbank Ankara, Lorenco Bernardi. Përtej kësaj vizita e Pëllumbit dhe Vokopolës në Stamboll quhet e frytshme, sepse kanë ardhur me projekte dhe me një mbështetje të plotë nga Turqia, që ka premtuar ndihmën e saj për rritjen e nivelit të volejbollit shqiptar.