Gjergj Vyshka 23.03.2017 15:40
Menjëherë pas vendimeve të Komisionit të Disiplinës së Federatës Shqiptare të Volejbollit ka reaguar volejbollisti i Tiranës, Emiljano Ndoni, i cili është pezulluar me një ndeshje dhe është gjobitur me 10.000 lekë të rinj. Sipas tij, dënimet e dhëna nga Komisioni i Disiplinës së Federatës Shqiptare të Volejbollit janë selektive dhe tendencioze. “Së pari, – thotë Ndoni për “Sport Ekspres”, – unë në atë ndeshje nuk kam marrë as karton të verdhë dhe as karton të kuq. Aq më tepër që vendimin e kam marrë nga rrjetet sociale dhe jo zyrtarisht në Klubin Shumësportësh “Tirana”.
“Nëse kam shkuar dhe kam prekur kullën e gjyqtarit, kjo ka qenë për protestë, por nuk kam marrë asnjë paralajmërim, – ka vijuar ai. – Minimalisht nëse do të shkruhej gjë në protokollin e ndeshjes Tirana-Vllaznia duhet të ishte lajmëruar kapiteni i skuadrës. Më vjen keq, sepse nuk kam bërë gjë dhe më ul moralisht si lojtar. Jo vetëm kaq, por kur na kanë ngelur dhe dy ndeshje, që janë me Elbasanin dhe me Studentin, unë mendoj se ky vendim është për të dëmtuar Tiranën. Aq më tepër që ne arritëm të fitonim me Vllazninë.”
“Kam 17 vjet karrierë si lojtar dhe nuk kam marrë qoftë dhe një karton të verdhë dhe nuk jam dënuar asnjëherë, – ka theksuar volejbollisti bardheblu. – Janë anëtarë komisioni dhe vetëm vendosin firmën në fund të vendimit, sepse këto vendime vijnë nga brenda Federatës që kushedi kanë parë ndonjë ëndërr të keqe me mua”. E duke vijuar më tutje Ndoni do të nënvizonte: “Shiko këtu dënohen lojtarët e Elbasanit, por nuk dënohen ato të Farkës, kur në fakt është sherr masiv. Dënohen lojtarët e Partizanit, por jo ato të Studentit.”
“Dënohem unë. Pra si të thuash dënohen ekipet që duket se nuk i shkojnë për shtat Federatës Shqiptare të Volejbollit. Megjithatë po them që do ta ndjek këtë çështje në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në KOKSH, por dhe në Gjykatën Administrative, sepse është dëmtim imazhi për mua”, – ka këmbëngulur në përfundim volejbollisti i Tiranës, Emiljano Ndoni. E kësisoj ka nisur kundërshtimi për vendimet e Komisionit të Disiplinës së Federatës Shqiptare të Volejbollit…