Gjergj Vyshka 31.07.2016 21:45
Menjëherë ka reaguar presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, sipas të cilit është vetëm Vllaznia dhe Flamurtari pa paguar detyrimet. Sipas tij kanë paguar një pjesë dhe kanë pjesën tjetër, të cilën nëse do ta vonojnë, do të kenë dhe gjobën në masën 20.000 lekë të rinj. “Ne e kemi debatuar këtë çështje dhe ditë më parë me Krroqin, por duket se nuk ka dëshirë të kuptojë, ka thënë kreu i organizmit që qeveris rrjetën shqiptare. – Sa për sekretarin Vokopola, së pari ka qenë ndër më të votuarit në asamble dhe është zgjedhur për atë post edhe sepse është ndër ata që di të detajojë detyrimet për klubet.”
“Sa për gjykimin që ai thotë, e kemi kaluar në Komision Disipline dhe janë parë pamjet filmike dhe është dalë në vendimin që gjithçka ka qenë brenda kompetencave të rregullores, – ka vijuar ai. – A mund ta menaxhonte më mirë kartonin e kuq, ndoshta, por në momentin që të gjithë kanë qenë në fushë bashkë me trajnerin, gjyqtari ka vepruar konform rregullores. A duan të bëjnë të njëjtën gjë në asamble? Të bëjnë mocion mosbesimi dhe të shohim. Por në këtë periudhë jo vetëm që kemi bërë kampionatin dhe Kupën e Shqipëria, apo veprimtaritë më të mira, por kemi pasur një përfaqësim dinjitoz me kombëtaret.”
“Mos harroni që kemi bërë një kampionat volejbolli në plazh, festivalin e fëmijëve dhe ardhja e presidentit Boronçiç ishte një tjetër plus për ne, – ka vijuar Pëllumbi. – E kemi marrë Federatën Shqiptare të Volejbollit në gjendje kolapsi dhe sot jemi mirë e një ndër Federatat më prestigjioze në vend. Tek Vllaznia ka një shef finance në klub, le të ulet dhe të shohë gjithçka me hollësi. Mos harrojmë që Vllaznia ka 6 ekipe dhe si e tillë borxhi është sipas të gjitha tarifave që janë të parashikuara.” Por, në fakt dueli mes institucionit që Pëllumbi drejton dhe Vllaznisë e shefit të klubit shumësportësh Mark Kroqi tashmë është hapur dhe nuk duket se ka ndërmend të mbyllet.
E për ta mbyllur këtë çështje, Pëllumbi do të nënvizonte: “Për të gjitha shqetësimet që Kroqi ka ngritur, ne i kemi thënë që të hënën do t’ia vëmë në dispozicion të gjithë dokumentacionin, të cilin do t’ua vëmë dhe ju si gazetë, – ka vijuar presidenti i FSHV-së. – E më pas nëse e kemi ne gabim tërhiqemi, por nëse e ka Krroqi gabim, atëherë si zgjidhet? Sepse nuk e kuptoj këtë nxitim kur janë po të njëjtat tarifa që kanë qenë përpara. Kështu që le t’i mbledhë dhe njëherë dhe më pas i bie që të mos ketë paguar fare. E pastaj borxhi vjen duke u rritur. Kështu që të hënën i shohim të gjitha, sepse tarifat mbi tavolinë i ka pasur që në tetor kur kemi ardhur ne.”
“Të premten pasdite në ora 17:00 që Kroqi kërkonte sqarime as unë dhe as sekretari nuk kishim ku t’ia gjenim dokumentet. Kështu që të hënën do t’i ketë të gjitha përgjigjet e pyetjeve të tij”, – ka përfunduar presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.