Gjergj Vyshka 23.04.2016 13:45
Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, ka bërë rezymenë e punës së institucionit që ai drejton që nga koha që është zgjedhur në krye të saj. “Ne kemi gjetur një Federatë me probleme dhe si e tillë na obligonte për ta kthyer në normalitetin e saj”, – ka thënë ai.
“Fillimisht e kemi nisur me një seminar teoriko-praktik me trajnerë e gjyqtarë në prag të sezonit, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris rrjetën shqiptare. – Madje me këta të fundit ka pasur dhe një testim teorik për disa ndryshime në rregullore. Më pas kemi kaluar në Kupën e Federatës, për të vijuar më pas me kampionatin.”
“Gjatë kësaj kohe janë zhvilluar tre seminare me gjyqtarët, një prej të cilëve ndërkombëtar, – ka deklaruar Pëllumbi. – Me 1 maj 2016 do të kemi një seminar nga Federata Botërore e Volejbollit për trajnerët e moshave në lidhje me një projekt për hapjen e një shkolle volejbolli.”
“Pjesëmarrja në Ligën e Evropës, çuarja e të vegjëlve në dy festivale në Serbi, apo dërgimi i të gjitha ekipeve të moshave në Kampionatet Ballkanike janë ato që ne kemi në projektet e afërta të zhvillimit të volejbollit në vend”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit.