Gjergj Vyshka 02.12.2015 13:25
Së bashku Sekretarin e Përgjithshëm të FSHV-së, Albens Vokopola, i pari i rrjetës shqiptare ka marrë pjesë në seminarin e zhvilluar në Stamboll me 247 trajnerë. Presidenti Oskan Mutlugil vlerëson praninë e Pëllumbit me pllakatë të veçantë. Në radhë të parë dhe ajo që është kryesorja është projekti për ngritjen e volejbollit nga baza dhe krijimi i skuadrave të moshës 6-12 vjeç.
“Sepse nëse nuk do të kemi bazën nuk do të kemi vazhdimësinë dhe prurjen e elementit për ekipet e para”, – ka thënë Pëllumbi. “Ne e kemi projektin për volejbollin në shkolla mbi bazën e një marrëveshjeje me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, por dhe Federatës Botërore të Volejbollit dhe duhet ta nisim menjëherë atë”, – ka shtuar kreu i FSHV-së, i cili është kthyer dje nga vizita dyditore në Turqi.
“Mbi të gjitha për ne është e rëndësishme që Turqia do të na japë ndihmën për rritjen e nivelit të trajnerëve të grupmoshave, – ka thënë Pëllumbi. – Ndaj dhe ne së shpejti do të nxjerrim njoftimin për ata që janë të interesuar të marrin pjesë në këto kurse kualifikimi. Por edhe mbi bazën e bisedave që patëm me homologun Mutlugil ajo që do të duhet të jetë kryesore për ne është ngritja e ekipeve të moshës 6-12 vjeç.”
“Këto ekipet janë një bazë e mirë dhe kryesore për vazhdimin e traditës. Sepse kështu e ka nisur dhe Turqia e eksperienca e tyre na shërben”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erli Pëllumbi, duke theksuar se gjithçka me homologun turk është diskutuar rreth projekteve dhe mbështetjes për volejbollin shqiptar.