Gjergj Vyshka 28.03.2016 14:20
Mbyllet seminari dyditor tekniko-praktik ndërkombëtar me gjyqtarët e volejbollit shqiptar. Sokullu: “Ne nuk erdhëm për të vlerësuar, apo testuar, por për të sjellë eksperiencën tonë në të mirë të gjykimit”. Në deklaratën e tij përpara medieve të shkruara dhe vizive, presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, ka vlerësuar se gjyqtarët e rrjetës shqiptare kanë ende për të mësuar.
“Ne mbyllëm seminarin dyditor të gjyqtarëve, që shpresoj të arrijnë në perfeksionin e duhur pas tij, – ka thënë ai. – Më duhet të falënderoj presidentin e Komisionit Tekniko-Gjykues, Umit Sokullu, dhe gjyqtarin ndërkombëtar Osnur Hosnut, të cilët u treguan të gatshëm të jepnin eksperiencën e tyre për gjyqtarët tanë. Ishin të përkushtuar në detajet më të vogla.”
“Por ne kishim nevojë për këtë seminar, sepse pash mangësi teknike sidomos në vendimmarrje, ndërsa kanë shumë për të mësuar, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris rrjetën shqiptare. – Mos harroni që jemi në fazën më të nxehtë të sezonit, në prag të “play-off”-it, sidomos tek meshkujt. Dhe për rrjedhojë ky seminar ishte i rëndësishëm për të gjithë ne.”
“Më duhet të falënderoj dhe presidentin e Federatës së Volejbollit të Turqisë, ndërsa projekte të tjera bashkëpunimi na presin në vazhdimësi”, – ka përfunduar presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, në mbyllje të seminarit me gjyqtarët e rrjetës.