Gjergj Vyshka 10.09.2016 07:45
Në prag të shortit, presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, i ka falënderuar përfaqësuesit e klubeve për pjesëmarrjen e tyre. “Jemi të gjithë njerëz që i japim tonin këtij sporti. Më duhet të falënderoj dhe t’i uroj suksese Erzenit, – ka deklaruar ai. – Ne jemi këtu për të vazhduar punën në shërbimin tuaj, si dhe në zbatim të rregullores.”
“Më duhet t’ju falënderoj dhe për atë që keni dhënë sepse për hir të së vërtetës duhet të pranojmë që kemi mbyllur një sezon të vështirë, madje me një pikëpyetje të madhe nëse do të luhej apo jo? – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris rrjetën shqiptare. – E kaluam në kushte shumë normale dhe jemi të lumtur për mbylljen me sukses. Sigurisht që jemi të kënaqur me praninë tuaj në short.”
Partizani, Erzeni dhe Gramshi e kanë rritur në 10 numrin e skuadrave tek meshkujt. Ka një “futje në ujë” tek grupi A2 pas tërheqjes nga veprimtaria të Vlora Volejit dhe Dinamos, kurse kështu janë 24 skuadra meshkuj e femra që do të përbëjnë veprimtarinë Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për sezonin 2016-2017. Tashmë kampionatit është gati për lojë më 1 tetor 2016. Mbi të gjitha, vjen derbi i madh i kryeqytetit, Partizani-Tirana, për meshkuj.