Gjergj Vyshka 13.06.2016 12:55
Prania e presidentit të Federatës Evropiane të Volejbollit, Aleksandar Boroçiç, kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajt, kombëtares së volejbollit të femrave dhe personalitete të tjera të sportit e ka bërë më të bukur veprimtarinë. Motoja: E ardhmja, fëmijët. “Falënderoj fëmijët pjesëmarrës, të cilët janë bërë pjesë e këtij festivali, që ndodh për herë të parë në vendin tonë”. Kështu do ta niste deklaratën e tij për shtyp presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.
“Më duhet të falënderoj dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajn, që është bërë pjesë e kësaj feste. Por mbi të gjitha presidentin e Federatës Evropiane të Volejbollit, Aleksandar Boroçiç. Është për herë të parë dhe ka ardhur për të bërë diçka konkrete për ndihmën në rritjen e volejbollit shqiptar”, – ka shtuar Pëllumbi, ndërsa në shtator do të hapet dhe e para shkollë e volejbollit shqiptar.
Motoja e festivalit të Volejbollit “E ardhmja i takon fëmijëve” ka ardhur pikërisht nga ajo çfarë ka deklaruar për mediet presidenti i Federatës Evropiane të Volejbollit, Aleksandar Boroçiç. “Falënderoj Federatën Shqiptare të Volejbollit dhe fëmijët për këtë mundësi që më dha. Duhet të punojmë më shumë me fëmijët, sepse e ardhmja e volejbollit shqiptar i takon atyre. Sa më shumë veprimtari për ta”, ka nënvizuar Boroçiç, i cili ka premtuar ndihmë në bazë materiale deri në shtrimin e sallave sportive të caktuar për volejbollin me tarafleks.