AlbanianSport.com 02/05/2020 13:10
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), Erlind Pëllumbi, ka përsëritur edhe një herë se sporti që ai drejton synon që, me çdo kusht, t’i shpallë fituesit e sezonit vetëm në fushën e lojës. “Që ditën e parë që sporti, sikundër e gjithë jeta në vend, u pezullua, unë kam deklaruar që kushdo që do të shpallet “kampion”, duhet të dalë nga parketi, – ka deklaruar ai të shtunën, në një lidhje telefonike për emisionin “60 minuta në fushën time” të kanalit të parë të Radio Tiranës. – Për këtë arsye ne kemi marrë disa masa, kemi ndërtuar disa skenarë, për të qenë të gatshëm drejt këtij qëllimi.”
“Natyrisht, do t’i lëmë kohë të mjaftueshme të gjithëve që të përgatiten, sepse, që të luash në një nivel të caktuar, padyshim që duhet kohë, sepse dy muaj larg parketit janë padyshim shumë, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris rrjetën shqiptare. – Prandaj do t’u lëmë sportistëve kohën e mjaftueshme, mbase jo të nevojshme, për të qenë gati për lojë. Mendimi im ka qenë dhe është që sporti duhet të luhet dhe kampionët duhet të dalin në parket.”
Pëllumbi ka folur edhe për atmosferën në komunitetin e volejbollit në këtë kohë karantine. “Të paktën, nga kontaktet e deritanishme që kam patur me lojtarë, me trajnerë, qofshin këta të ekipeve kombëtare apo më gjerë, mund të them se fillimisht, situata ishte shumë optimiste, – ka thënë ai. – Por ky optimizëm nuk mund të mbahet shumë gjatë, sepse vetë aktiviteti sportiv nuk mund ta pranojë këtë lloj situate dhe këtë lloj gjendjeje.”
“Mirëpo kjo është e përgjithshme për vendin tonë dhe do të na duhet të presim deri në një zhvillim të ri”, – ka shtuar kreu i FSHV-së, i cili e ka vënë theksin tek rëndësia që sporti ka në periudhën ku po jetojmë. “Sporti padyshim është një nga elementët më të rëndësishëm në jetën e përditshme të çdo njeriu, mendoj unë, sepse në të gjitha lidhje telefonike apo me “Skype”, apo në gjithçka që ju përcillni nëpër emisionet tuaja, kemi parë që të gjithë rekomandojnë që çdo njeri të bëjë ushtrime fizike edhe në shtëpi”, ka thënë ai.
“Prandaj, të them të drejtën, mendoj se, në këtë periudhë pandemie, sporti ka dalë si parësor dhe mendoj që po kështu duhet të vazhdojë të jetë në jetën e përditshme të çdo njeriu, – ka vijuar Pëllumbi. – Sporti dhe përgatitja fizike mban trupin në formë dhe e mban mjekun larg.” Për këtë arsye, ish-volejbollisti, tanimë drejtues i Federatës së këtij sporti, kërkon një vëmendje më të madhe nga ana e autoriteteve. “Prandaj do të dëshiroja që edhe qeveria ta kthejë më tepër vëmendjen nga sporti, sesi ai mund të organizohet pak më mirë dhe sesi ai mund të masivizohet”, – ka thënë ai.
“Kjo është ajo që ne kemi bërë në Federatën tonë, duke organizuar disa kampionate, madje edhe për amatorët e volejbollit dhe fëmijët e grupmoshat e tjera, por me buxhetin dhe me financat që kemi përballimi i gjithë kësaj është shumë i vështirë. Që sporti të marrë frymë, duhet të mendojmë të paktën këtë pjesë”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), Erlind Pëllumbi.