Gjergj Vyshka 06.01.2017 13:35
Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit: “Mungesa e titullarëve e kushtëzoi kombëtaren që të mos arrinte atë që duhet. Megjithatë lojtaret që luajtën për herë të parë kanë ende për të rritur nivelin.” Shqipëria në volejboll për femra në turneun miqësor të Luksemburgut, quajtur ndryshe “Novotel Cup”, që u zhvillua nga data 29 dhjetor 2016, deri më 1 janar 2017, ka arritur dy fitore dhe ka pësuar një humbje.
Por kjo nuk duket se ka qenë maksimumi i kësaj përfaqësueseje, të paktën sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, i cili në fakt ka pretenduar marrjen e trofeut. Sipas tij nëse skuadra do të kishte luajtur më mirë, apo nëse do të ishin dhe titullaret e munguara për shkak të impenjimit në klubet e tyre, Shqipëria do të ishte fituese e turneut.
Megjithatë pjesëmarrja në Luksemburg e ka pasur një të mirë, menaxherë klubesh janë interesuar për lojtare të caktuara, por që nuk kanë arritur në një gjë konkrete, edhe sepse sezoni është në mes. E ardhmja, pjesëmarrja në Ligën e Evropës, pjesëmarrja e kombëtareve të moshave në Ballkan, por dhe Shqipëria si vend organizator i Evropës për të rritur, apo për të rritura, si dhe i një kampionati ballkanik.
Ja dhe intervista e presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, për “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com jua sjell në dy pjesë dhe dje ishte pjesa e parë, ndërsa sot është e dyta.
… vijon nga dje
– Cilat janë objektivat e Federatës Shqiptare të Volejbollit për vitin 2017?
– Së pari ne kemi konfirmuar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës për vitin 2017 si për meshkuj, ashtu dhe për femra. Dhe më 13 janar ne presim hedhjen e shortit për të ditur kë do të kemi kundërshtar. Sigurisht që do të kërkojmë një pjesëmarrje shumë më të mirë se sa vitin e kaluar.
– Po kombëtaret e moshave?
– Po kështu do të jemi dhe në Asamblenë e Ballkanit, atje ku do të shohim se kush do të jenë përzgjedhësit e vendeve organizatore. Madje do të kërkojmë që pse jo një kampionat ballkanik moshash ta kemi dhe ne.
– Kjo vlen dhe për Ligën e Evropës?
– Sigurisht që do të kërkojmë të organizojmë një tjetër grup të Ligës së Evropës ashtu sikurse kemi bërë dhe në qershorin e vitin të kaluar në Durrës. Shpresojmë që të na e miratojnë.
– Së fundi, a mund të vihet me detyrim në rregulloren e brendshme të Federatës Shqiptare të Volejbollit që kampionia duhet të marrë pjesë në Kupat e Evropës, në të kundërt përjashtohet nga sezoni pasardhës?
– Ne e kemi thënë dhe herë të tjera që klubet për shkak të pamundësisë financiare nuk marrin pjesë në Kupat e Evropës, jo se nuk kanë dëshirë ta bëjnë këtë gjë. Megjithatë është një ngërç që ne do ta diskutojmë me komunitetin në analizën vjetore. Por jo në formë detyrimi…
Turneu Miqësor Ndërkombëtar
i Volejbollit – Femra
“Novotel Cup 2017” – Luksemburg
Të enjten:
Norvegji – Shqipëri 3-1
(25-19, 25-21, 17-25, 25-23)
Të premten:
Norvegji – Lihtenshtejn 3-0
(25-23, 25-17, 25-10)
Luksemburg – Shqipëri 0-3
(24-26, 28-30, 24-26)
Të shtunën:
Lihtenshtejn – Shqipëri 0-3
(22-25, 15-25, 15-25)
Luksemburg – Norvegji 3-2
(22-25, 13-25, 26-24, 25-16, 15-10)
Të dielën:
Luksemburg – Lihtenshtejn 3-0
(25-16, 25-7, 25-17)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Psh-Pp Pikë
- Norvegjia 3 2 1 8-4 267-239 7
- Shqipëria 3 2 1 6-3 245-230 6
- Luksemburgu 3 2 1 6-5 252-222 5
- Lihtenshtejn 3 0 2 0-6 142-225 0