AlbanianSport.com 08/01/2017 10:40
ASNN – Trajneri Tarja: “Ishim përgatitur për lojtare të datëlindjes 1999, por tanimë që ndryshoi mosha do të bëjmë grumbullime në të gjithë Shqipërinë”. Ashtu sikurse ishte paralajmëruar nga Federata Shqiptare e Volejbollit, dje në palestrën e Klubit Shumësportësh “Partizani” ka nisur grumbullimi i parë përzgjedhës për Kombëtaren e vajzave të moshës deri në 19 vjeç.
Bëhet fjalë për Kampionatin Evropian të kësaj moshe, që nga data 1, deri më 9 shtator 2018 do të zhvillohet në Tiranë. E ndërsa nuk kanë nisur ende eliminatoret për të përcaktuar 12 skuadrat finaliste, mes të cilave dhe Shqipëria si vend organizator, atëherë kuqezinjtë kanë nisur përzgjedhjet. Dje në palestrën e Klubit Shumësportësh “Partizani” kanë qenë lojtaret e skuadrës së kuqe, Dinamos, Tiranës, Tirana Volejit, “Duka Volejit”, Vllaznisë, Korabit e Mirditës.
Më 12 janar në ora 15:00, sipas kalendarit të përcaktuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit, ky seleksionim do të vijojë në Krutje, ku do të jenë lojtaret e Apolonisë 1 dhe 2, Lushnjës, Divjakës. Kurse po në të njëjtën ditë në Vlorë do të jenë lojtaret e Flamurtarit 1 dhe 2, Vlora Volejit dhe Himarës. E më 13 janar në Pogradec do të jenë volejbollistet e Pogradecit, Skënderbeut dhe Himarës.